Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, ndërsa vëllai i tij u shpall në kërkim, pasi kërcënuan ish bashkëpunëtorin e tyre që t’u jepte 200 mijë eurot e rrjedhura nga veprimtari kriminale e shitjes së drogës e kryer jashtë vendit.
Gjatë operacionit policor të koduar “Pressure”, ra në pranga A. D., 35 vjeç dhe u shpall në kërkim vëllai i tij E. D., 31 vjeç, të dy banues në Belsh, pasi 34-vjeçari i denoncoi në polici.
“Si rezultat i reagimit menjëherë pas marrjes së denoncimit se një 34-vjeçar shtrëngohej nëpërmjet kanosjes, për të dhënë një shumë të konsiderueshme parash, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi E. D., 31 vjeç, të dy banues në Belsh. Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 2 shtetas kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale, në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit”, sipas policisë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automjet, një motomjet dhe dy celularë në pronësi të dy vëllezërve.
Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Top Channel