Armenia kërkon mbledhje urgjente të OKB-së për Karabakun

12/08/2023 16:54

Armenia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbajë një takim urgjent lidhur me përkeqësimin e situatës në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Ky rajon në Azerbajxhan është i banuar kryesisht me armenë etnikë.

Në letrën dërguar më 11 gusht te presidenti i Këshillit të Sigurimit, ambasadori armen në OKB, Mher Margarian, tha se banorët e Nagorno-Karabakut “janë në prag të një katastrofe të plotë humanitare”.

Si Armenia, ashtu edhe autoritetet separatiste në Nagorno-Karabak kanë thënë se Azerbajxhani ka bllokuar qasjen në këtë rajon që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke rezultuar në mungesë të furnizimeve me ushqim, ilaçe dhe energji.Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi në qershor Azerbajxhani ashpërsoi bllokadën duke vendosur një pikë-kontrolli në rrugën që njihet si Korridori i Laçinit. Kjo është rruga e vetme që lidh Armeninë me rajonin e shkëputur. Azerbajxhani pretendoi se “disa lloje kontrabandash” ishin zbuluar në makinat e Kryqit të Kuq që vinin nga Armenia.

Duke iu referuar bllokadës, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, tha më 11 gusht se ndalimi i dërgesave me ndihmë humanitare përbën “gjenocid”.

Pashinian po ashtu paralajmëroi Azerbajxhanin kundër asaj që ai e quajti “anulim të mundësisë historike për paqe” mes dy shteteve në Kaukazin Jugor.

Azerbajxhani mohon se po bllokon Nagorno-Karabakun dhe ka ofruar rrugë alternative për dërgesat përmes qytetit Agdam, që gjendet në veri të rajonit dhe kontrollohet nga Bakuja.

Megjithatë, Qeveria separatiste e Nagorno-Karabakut e ka refuzuar këtë ofertë, duke thënë se bllokada e Korridorit Laçin nga Azerbajxhani përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020. Kjo marrëveshje, që u ndërmjetësua nga Moska, parasheh një rrugë të gjerë prej pesë kilometrash, që duhet të kontrollohet nga paqeruajtësit rusë.

Një grup i ekspertëve të OKB-së lëshoi një deklaratë më 7 gusht duke shprehur alarmin lidhur me bllokadën që Azerbajxhani ka vendosur në Korridorin e Laçinit. Ekspertët thanë se kjo bllokadë ka çuar në krizë të rëndë humanitare në Nagorno-Karabak.

“Me heqje e bllokadës, autoritetet [e Azerbajxhanit] mund të lehtësojnë vuajtjen e mijëra banorëve në Nagorno-Karabak dhe të lejojnë dërgimin e papenguar të ndihmës humanitare për popullatën civile”, thanë ekspertët. “Është thelbësore që të ofrohet siguria, dinjiteti dhe mirëqenia e të gjithë persona gjatë kësaj kohe kritike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA