Autoritetet në Kiev i kanë lëshuar të premten alarmet dhe u kanë bërë thirrje banorëve të strehohen në vende të sigurta, pas shpërthimeve që janë dëgjuar mbi këtë qytet.
Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur sulmet me raketa hipersonke në rajonin e Kievit, përfshirë ato Kh-47 Kinzhal.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka thënë se disa pjesë të raketave të rrëzuara, kanë rënë në territorin e një spitali për fëmijë, por nuk ka raportime për të plagosur.
Në të njëjtën ditë, Rusia ka thënë se e ka rrëzuar një dron në perëndim të Moskës, pas raportimeve se dy aeroporte janë mbyllur përkohësisht në kryeqytetin rus, për shkak të një fluturimi të dyshimtë me dron.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin e ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se mbetjet e dronit kanë rënë në veriperëndim të qytetit, por nuk ka shkaktuar dëme.
Për këto sulme raportohet teksa administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit që të miratojë ndihmë shtesë – ushtarake dhe humanitare – për Ukrainën, në vlerë të 20 miliardë dollarëve.
Në përditësimin e fundit të ushtrisë ukrainase, më 11 gusht, Shtabi i Përgjithshëm ka thënë se forcat ruse kanë kryer “sulme të pasuksesshme” në zonat e Kupjanskut dhe Bahmutit.
Në njoftim është thënë se forcat ukrainase janë duke e vazhduar kundërofensivën në Melitopol dhe Berdjansk, në jug.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Top Channel