Biden nuk ndalet: I kërkon Kongresit miliarda të tjera për Ukrainën

11/08/2023 10:12

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka kërkuar Kongresit Amerikan 13 miliardë dollarë të tjerë si mbështetje për Ukrainën.

Përgjegjësja për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë, Shalanda Young pohoi se qeveria amerikane po aplikon për mjete shtesë ne ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën si edhe për vende të tjera që vuajnë nga efektet e “marshimit brutal” të Rusisë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara janë kthyer në mbështetesën kryesore të luftës së Kievit që mbrohet prej fillimit te agresionit te paprovokuar rus shkurtin e vitit 2022.  Uashingtoni i premtoi asokohe vendit të traumatizuar nga konflikti ndihma ushtarake në vlerën e më shumë se 43 miliardë dollarëve. Por republikanët në opozitë vazhdimisht kanë bërë rezistencë ndaj një asistence ushtarake të zgjeruar.

Njoftimi i kërkesës së Bidenit erdhi në kohën kur mediat e huaja raportuan goditjen e një hoteli në Zaporishja nga një raketë ruse Iskander, ku ka ndërruar jetë një person dhe janë plagosur 16 të tjerë, mes tyre katër fëmijë. Hoteli Reikartz, i ndodhur në qendër te qytetit, përdoret shpesh edhe nga punonjësit e Kombeve të Bashkuara.

“Jam e tronditur nga lajmi që është goditur një hotel që përdoret shpesh nga punonjës të OKB-së dhe organizatat joqeveritare që mbështesin njerëzit e prekur nga lufta”, u shpreh koordinatorja e OKB-së për ndihmat humanitare në Ukrainë, Denise Broën.

Autoritetet në Kiev po kështu dhanë alarmin pas disa shpërthimeve në kryeqytet, ndërsa ushtria ukrainase foli për sulme me raketa hipersonike nga ana e Moskës në rajon, përfshirë ato Kh-47 Kinzhal. Rusia nga ana tjetër njoftoi se ka rrëzuar një dron në perëndim të Moskës, pas raportimeve se dy aeroporte janë mbyllur përkohësisht në kryeqytetin rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA