Në katër vite të periudhës 2019-2022 nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, sipas të dhënave të raporteve të Ministrisë së Shëndetësisë është shpenzuar nga buxheti i shtetit fondi me vlerë 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milionë euro.
Nga ky bonus kanë përfituar 161,943 të porsalindur. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve për vitet 2019-2022 është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetonin jashtë Shqipërisë.
Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë, në muajin maj Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hedhur për konsultim publik ndryshimin ligjor, që i përjashton emigrantët nga bonusi i bebes, i cili ka nisur që në vitin 2019.
Qeveria i mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi deri më tani përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna.
Nëse ligji i hedhur për konsultim do të miratohet në Parlament, atëherë emigrantët nuk do ta përfitojnë më këtë bonus.
Top Channel