Artur Doku alias Gent Sherifi ishte një emër që ekzistonte deri pak kohë më parë në listën e të kërkuarve të policisë shqiptare, pasi ishte i dyshuari kryesor dhe i dënuar në mungesë për vrasjen e një njeriu dhe plagosjen e një tjetri, në trazirat e vitit 1997 në Tiranë.
Vetëm kohët e fundit hetimet nga shërbimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë kriminale, kanë bërë që hetuesit të ndezin dritën jeshile për gjetjen e të dënuarit për vrasje në Shqipëri, në Itali e pikërisht në Torino.
Dhe dyshimet rezultuan të ishin të vërteta. Ishte pikërisht kështu. Genti Sherifi, 47 vjeç, i dënuar me 13 vjet, 5 muaj e 3 ditë për atë vrasje të vjetër më 26 korrik 2014 nga gjykata e Tiranës, fshihej prej më shumë se 20 vitesh në lagjen “Barriera di Milano” në Torino.
Menjëherë pas vrasjes, para se të largohej nga Shqipëria, ai kishte ndërruar emrin dhe identitetin e tij, duke fshirë çdo gjurmë nga jeta e mëparshme.
Në Torino, ai kishte ndërtuar një identitet të respektueshëm: babai i dy fëmijëve që ndiqnin shkollën, kishte hapur një kompani rinovimi ndërtesash dhe qëndroi larg telasheve.
Por kush është Artur Doku?
Ngjarja për të cilën akuzohet Doku ka ndodhur më 19 maj të vitit 1997, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur Bregu i Lumit, Tiranë, në bashkëpunim me kushëririn e tij Artur Doku, kanë vrarë me armë zjarri Ilmi Cukën dhe kanë plagosur vëllain e tij, Dalip Cuka, për motive hakmarrje.
Duke përfituar nga disa ngatërresa proceduriale nga Gjykata e Tiranës, Doku ka marrë pafajësinë dhe është larguar në drejtim të Italisë. Më pas është gjykuar në mungesë, kur Apeli ka kthyer për gjykim çështjen e tij dhe në vitin 2004 është shpallur fajtor. Nga rishqyrtimi i çështjes ka rezultuar e provuar se Artur dhe Besim Doku janë kushërinj midis tyre dhe banonin së bashku me familjen Cuka në lagjen Bregu i Lumit Tiranë. Izmir Doku shumë vite para se të ndodhte vrasja ka qenë baxhanak me Dalip Cukën, më vonë e fejuara e Izmir Dokut prishi fejesën dhe martohet me Bardhyl Cenën nga Kukësi. Gjithashtu familja Cuka në afërsi të banesës kishte një lokal. Në vitin 1996, me qëllimin që makinat të mos kalonin me shpejtësi në rrugën para lokalit, ata hapën një kanal. Prishja e fejesës dhe hapja e kanalit, i cili pengonte qarkullimin normal të automjeteve sollën një zënkë midis Izmir Dokut, kushëririt të Besim Dokut dhe të dëmtuarit Mexhit Cuka, e cila më pas u bë shkas për ndodhjen e ngjarjeve shumë të rënda. Më 19 maj 1997 rreth orës 21:00, Dalip Cuka së bashku me viktimën Ilmi Cuka dhe Bardhyl Cenën po ktheheshin nga fshati Laknas për te Bregu i Lumit. Dalip Cuka ka qenë në sediljen e parë të autoveturës me targë të Shkodrës në krah të shoferit Bardhyl Cena, ndërsa Ilmi Cuka ka qenë në sediljen e pasme. Sapo kanë mbërritur në lagjen Bregu i Lumit, në afërsi të klubit të Sami Delia, në një distancë rreth 10 metra larg shtëpisë së tyre, u dalin përpara të pandehurit Artur Doku, Besim Doku dhe Izmir Doku të cilët mbanin në duar armë automatike. Artur dhe Besim Doku kanë qëlluar me armët automatike në drejtim të autoveturës, për pasojë plagoset dhe më pas vdes në spital Ilmi Cuka, gjithashtu plagoset dhe vëllai i tij, Dalip Cuka.
Top Channel