Ish-studenti i dhjetorit humbi jetën aksidentalisht nën peshën e pllakave të mermerit, policia akuzon dhe vë në pranga shoferin e kamionit nga ku rrëshqitën pllakat.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, kur shtetasi Arben Kurmeka, 52 vjeç, humbi jetën pasi nga kamioni me të cilin po punonte, kishin rrëshqitur disa pllaka mermeri dhe e kishin zënë poshtë. Pas hetimeve të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 62 vjeç, banues në Xhafzotaj të Durrësit.
I arrestuari është shoferi i kamionit prej nga ku rrëshqitën pllakat dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Për këtë ngjarje dyshohet të ketë qenë shkak shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë nga 62-vjeçari, i cili pas rrëshqitjes së pllakave mbi shtetasin A. K., është larguar nga vendi i ngjarjes, pa dhënë ndihmë dhe pa njoftuar policinë.
Në njoftimin e saj, policia bëri me dije se vijojnë hetimet për të provuar ligjërisht përgjegjësinë penale të të arrestuarit.
Top Channel