Rusia shton Norvegjinë në listën e shteteve jomiqësore

03/08/2023 13:17

Rusia ka shtuar Norvegjinë në listën e “shteteve jomiqësore”, duke pretenduar se ky shtet po i shënjestron diplomatët rusë jashtë shtetit.

Një hap i tillë i përkeqëson edhe më shumë marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Qeveria ruse e ka publikuar urdhrin të enjten, përmes së cilit e kufizon në 27 numrin e stafit lokal që mund ta angazhojë misioni diplomatik norvegjez në Rusi.

Në muajin prill, Norvegjia ka dëbuar 15 diplomatë rusë, duke i akuzuar për kryerje të aktiviteteve të inteligjencës, nën mbulesë diplomatike. Rusia është hakmarrë, duke i dëbuar 10 diplomatë norvegjezë, dhe ky hap për Norvegjinë ka qenë “akt i hakmarrjes”.

Ministria e Jashtme e Norvegjisë tha se ende nuk ka marrë informacion zyrtar nga autoritetet ruse, por që nuk ka bazë në deklarimin se Norvegjia është jomiqësore kundrejt Rusisë.

“Situata e sotshme është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Vetë Rusia mund të zgjedhë t’i japë fund luftës”, shprehet ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.

Ajo ka shtuar se dy kombet, të cilat e ndajnë kufirin në Arktik, kanë interes për funksionim të marrëdhënieve diplomatike. Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke janë shtuar në listën e vendeve jomiqësore ndaj Rusisë, në maj të vitit 2021, ndërsa Greqia, Danimarka, Sllovenia, Kroacia dhe Sllovakia, janë shtuar në korrik të vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA