Një grua e re u gjet pa jetë të mërkurën në hyrje të qytetit të Durrësit, tek Ura e Dajlanit.
Pas ekzaminimit mjeko-ligjor, policia njoftoi se vdekja i ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të shumta që ka marrë në trup nga një mjet prerës. E reja është identifikuar si Luljeta Preza 32 vjeç nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom.
Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht nga autori, apo autorët dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e para rezulton se viktima bënte një jetë endacake dhe jo rrallëherë detyrohej të shiste trupin e saj për të fituar pak para e mbajtur veten gjallë.
Dhunimi i saj deri në vdekje dyshohet se ka ndodhur gjatë natës së kaluar, ndërsa u gjet pajetë paraditen e së mërkurës te Ura e dajlanit, aty ku rrinte zakonisht.
17 persona që dyshohet se kanë dijeni mbi ngjarjen e rëndë janë shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe zbuluar e vënë para drejtësisë autorin e këtij krimi.
Top Channel