Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë se ai nuk e kundërshton idenë e bisedimeve për paqe për çështjen e Ukrainës.
Duke folur pas takimit me liderët afrikanë në Shën Petersburg, ai ka thënë se një iniciativë afrikane dhe kineze, mund të shërbejnë si bazë për gjetje të paqes.
Presidenti Putin, ka thënë, po ashtu, se është e vështirë që të zbatohet një armëpushim, kur ushtria ukrainase është në ofensivë.
Ukraina dhe Rusia kanë thënë më parë se nuk do të ulen në tavolinë të negociatave pa disa parakushte.
Ukraina dëshiron që kufijtë e saj të rivendosen sikurse kanë qenë më 1991, diçka që Kremlini e refuzon ashpër.
Moska deklaron se për të nisur negociatat, Kievi duhet ta pranojë “realitetin e ri territorial” të shtetit.
Putin ka thënë në një konferencë në orët e vona të së shtunës, se aktualisht nuk ka plane për t’i intensifikuar veprimet në frontin ukrainas.
Ai e ka mbrojtur edhe vendimin e Kremlinit për t’i arrestuar kundërshtarët politikë, duke pretenduar se ata janë duke dëmtuar Rusinë prej brenda.
Samiti Rusi-Afrikë vjen pas vizitës që ka realizuar një kontingjent afrikan – përfshirë liderë dhe përfaqësues nga shtatë shtete – te presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe Putini, muajin e kaluar.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
Top Channel