Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, zbardhen 14 raste! Arrestohet 1 person, në kërkim bashkëpunëtori

29/07/2023 09:26

Një 45-vjeçar me inicialet A. G. është arrestuar në Tiranë ditën e sotme dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij G. K., 48 vjeç, pasi vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë, në 14 banesa në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt në pronësi të bashkëshortes së shtetasit A. G., të cilin dy autorët e dyshuar e përdornin për të fshehur sendet e vjedhura dhe mjetet që përdornin gjatë vjedhjeve, u gjetën dhe sekuestruan çelësa të ndryshëm, pajisje alumini që shërbejnë për veshjen e çelësave, dy aparate celulare, një bajonetë, një përforcues grushti, dhe veshje të ndryshme të përdorura gjatë vjedhjeve.

Gjithashtu u sekuestruan dhe dy automjetet e autorëve të cilët i përdornin gjatë kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për kapjen e shtetasit G. K., si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA