Turistët besnikë të Rodosit, preferojnë të mos largohen pavarësisht zjarreve masive

28/07/2023 14:23

Disa turistë kanë preferuar të qëndrojnë në ishullin grek të Rodosit, pavarësisht situatës së rënduar të zjarreve dhe evakuimeve masive.

Në hotelet pranë plazheve po qëndrojnë vizitorët vetëm pak metra larg vendeve të shkrumbuara nga flakët. Ata kanë vijuar të qetë pushimet e tyre pa u ndikuar aspak nga zjarret masive, që vijojnë prej ditësh.

“Në këtë mënyrë ose në një tjetër, ne qëndrojmë mirë këtu. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, por unë shoh rreth katër kilometra vetëm zona të djegura”, tha Stefano-turist italian.

“Ne ishim pak të shqetësuar sepse morëm këto mesazhe urgjence në telefon. Mesazhet erdhën në mes të natës, por nuk u larguam. Shtëpia jonë është afër plazhit dhe menduam se është e sigurt të qëndrojmë këtu”, u shpreh Alessandro-turist nga Danimarka.

Përgjatë plazheve të prekura nga zjarret, disa biznese po vijojnë punën, teksa kanë parë se si turistët kanë vendosur të qëndrojnë, duke i konsideruar brigjet detare më të sigurta.

“Kjo është vendlindja ime, vendosa të qëndroj pavarësisht se më kërkuan të largohem menjëherë. Unë vijoj ende punën intensive në restorant. Kjo është ajo që di të bëj”, deklaroi Helen Hrisafinas-pronare restoranti.

Vatrat e zjarrit vijojnë të përpijnë shumë zona në Rodos, aty ku janë evakuuar mijëra turistë që pas shpërthimit të flakëve. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, deri në përmirësimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA