Ndasitë mes vendeve evropiane për grurin e Ukrainës

27/07/2023 20:20

Vitin e kaluar imazhi i Polonisë brenda Bashkimit Evropian u përmirësua, nga një vend që sfidonte funksionimin e shtetit ligjor, në një vend në krye të përpjekjeve për mbrojtjen e Ukrainës, duke mirëpritur mbi 1 milion refugjatë që kur filloi sulmi i Rusisë dhe duke ofruar ndihma ushtarake prej miliarda dollarësh për Kievin.

Por ky imazh i ri i Polonisë po e humb shkëlqimin me shpejtësi, pasi Varshava dhe katër vende të tjera fqinje kundërshtojnë eksportet e Ukrainës – miliona tonë drithë që kanë humbur tashmë mundësinë e transportit detar, pasi Rusia u tërhoq këtë muaj nga iniciativa njëvjeçare për grurin në Detin e Zi.

Vende si Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria thonë se drithi ukrainas ka mbizotëruar në tregjet vendase dhe po dëmton fermerët vendas.

Analistët thonë se këtu luajnë rol interesa monetare dhe politika – jo vetëm miliona dollarët që jep Bashkimi Evropian në formë kompensimi për fermerët e këtyre vendeve, por edhe votat e banorëve të zonave rurale për të cilat po bëjnë fushatë qeveritë në Poloni dhe Sllovaki përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në vjeshtë.

Ngërçi për grurin që po përçan 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian – që deri më tani ka ruajtur përgjithësisht unitetin që nga fillimi i sulmit të Rusisë në vitin 2022 ndaj Ukrainës – tashmë mund të ketë pasoja afatgjata për Bashkimin Evropian.

Në sfond vazhdon të qëndrojë dëshira e Ukrainës për një anëtarësim në BE, megjithëse pa një datë të caktuar, zhvillim ky që mund të devijonte miliona dollarë fonde që jep aktualisht Brukseli për vendet fqinje që janë anëtare të BE-së.

“Ajo që po shohim tani është se vendet e Evropës Lindore po përballen me pasojat ekonomike të mbështetjes së tyre politike dhe ushtarake për Ukrainën”, tha Jacob Kirkegaard, studiues në Fondin Gjerman Marshall në Bruksel, si dhe me Institutin Peterson për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Uashington.

Tashmë që Ukraina është një vend kandidat për anëtarësimin në BE, “atyre do t’u duhet të zgjedhin”, tha zoti Kirkegaard. “A janë vërtet të interesuar që ta mbështesin Ukrainën edhe në periudhën afatgjatë? Po shohim të shtjellohet tashmë një pjesë e këtij procesi”.

Ministrat e Bujqësisë të BE-së u takuan të martën në Bruksel për të shqyrtuar mënyrat për të zgjeruar hekurudhat evropiane dhe linjat e mbiquajtura “rrugët e solidaritetit”, të cilat u krijuan vitin e kaluar për të eksportuar grurin ukrainas që bllokohej në Detin e Zi.

Komisioni Evropian po shqyrton edhe një propozim tjetër nga Lituania për ta eksportuar grurin nga pesë porte të Detit Balltik.

Ekspertët kanë ngritur pikëpyetjen nëse Evropa ka kapacitetin për rieksportuar ngarkesat e grurit ukrainas që më parë kalonin përmes Detit të Zi. Këtu përfshihen probleme të mundshme si p.sh. nevoja për harmonizimin e shinave – përcaktimin e një distance të njëllojtë mes shinave në vendet anëtare.

Brukseli ofroi gjithashtu rreth 110 milionë dollarë kompensime për fermerët në këto vende që po dëmtoheshin nga konkurrenca me çmime më të lira.

“Jo evropiane”

Pesë vendet duan tashmë që marrëveshja për kompensim, e cila skadon në mes të shtatorit, të shtrihet deri në vitin tjetër.

“Shpresoj që të zgjatet”, i tha ministri polak i bujqësisë Robert Telus faqes mediatike në internet Euractiv. “Por nëse nuk zgjatet, Polonisë sërish do t’i duhet të përballet me këtë çështje, dhe ne kemi provuar që mundemi ta bëjmë këtë”.

Komisioni Evropian tha se do të japë një përgjigje përpara afatit të shtatorit. Por, shumë vende të tjera anëtare kundërshtojnë zgjatjen e marrëveshjes për kompensimet.

“Nuk mund të marrësh paratë nga Brukseli si kompensim për barrën, por në të njëjtën kohë të mbyllësh edhe kufirin me Ukrainën”, tha ministri gjerman i bujqësisë, Cem Ozdemir.

Kjo do të dëmtonte solidaritetin në BE për Ukrainën, tha ai dhe shtoi se “i vetmi që mbetet i kënaqur është Vladimir Putini”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka kritikuar përpjekjet për të zgjeruar kufizimet ndaj eksporteve ukrainase, duke i quajtur ato “të papranueshme” dhe “jo evropiane” gjatë fjalës së tij mbrëmjen e së martës – kritika këto të bëra edhe nga të tjerë gjatë javëve të fundit.

Madje gazeta franceze “Liberation” ka pretenduar se Varshava po përdor “metoda pirate” që rrezikojnë unitetin e BE-së përballë Rusisë, “dhe vendosin në rrezik pjesën tjetër të ekonomisë së Ukrainës që pretendon se po e mbështet”.

Polonia, së bashku me Hungarinë, është përballur me kritika të shumta nga BE-ja gjatë viteve – si për mosrespektimin e parimeve të shtetit ligjor dhe deri për rregullat e BE-së për azilin dhe emigracionin. Më herët këtë javë, Komisioni Evropian foli për përparim të madh nga të dyja këto vende për reformimin e gjyqësorit, që është parakusht për lëvrimin e fondeve prej miliona dollarësh.

Por, për forcën qeverisëse në Poloni, Partinë e Ligjit dhe Drejtësisë, nevoja për të konsoliduar bazën e saj jetike rurale është e menjëhershme, thonë ekspertët, ndërsa afrojnë zgjedhjet e përgjithshme të vjeshtës.

“Është qartësisht një strategji elektorale për qeverinë polake”, tha zoti Kirkegaard për përpjekjet e Varshavës për zgjerimin e kufizimeve ndaj importeve të grurit ukrainas. “A do të tërhiqen? Ndoshta jo. A do ta pranojë pjesa tjetër e BE-së? Jo.”

Perspektiva që një Ukrainë e qëndrueshme do të bëhej një ditë anëtare e BE-së, luan gjithashtu rol në qëndrimet e Polonisë dhe katër vendeve të tjera të Evropës Lindore, tha ai. Megjithëse anëtarësimi i Ukrainës do të ofronte një brez të ri mbrojtës nga Rusia, kjo do të devijonte ndoshta miliona dollarë të BE-së nga fondet që i marrin aktualisht këto vende për bujqësinë dhe sektorë të tjerë.

Ndërsa priten diskutimet për buxhetin e ardhshëm të BE-së për periudhën deri në vitin 2027, “ata po bëjnë një paralajmërim dhe po e pozicionojnë veten për një betejë të madhe”, tha zoti Krikegaard./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA