Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, të mërkurën ftoi zyrtarisht 203 vende, por edhe jo Rusinë dhe Bjellorusinë, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat do të fillojnë pas një viti.
Bach kishte thënë edhe më parë se as Rusia dhe as aleati i saj në pushtimin e Ukrainës, Bjellorusia, nuk do të ftoheshin si ekipe.
Megjithatë, IOC-ja e ka lënë derën e hapur që atletët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë si atletë neutralë në Lojërat Verore 2024 pa skuadrat e tyre.
IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait, ka akuzuar IOC-në për “standarde të dyfishta” për sugjerimin që atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë në Paris, ndërsa ministri i qeverisë, Oleh Nemchinov, njoftoi në prill se atletët ukrainas nuk duhet të lejohen të konkurrojnë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 nëse rusët marrin pjesë.
IOC kritikoi Ukrainën për “privimin e atletëve të saj nga shansi për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe për ta bërë popullin ukrainas krenar”, dhe e ritheksoi këtë qëndrim në deklaratën e fundit.
“Në një sport kaq të politizuar, Lojërat Olimpike universale nuk do të jenë më të mundshme”, thuhet në deklaratën e IOC.
Bach është në një vizitë tre-ditore në kryeqytetin francez, ku do të mbahen Lojërat Olimpike verën e ardhshme.
“Në përputhje me Kartën Olimpike, është nderi dhe kënaqësia ime e madhe ta shënoj këtë moment historik të rëndësishëm sot duke ftuar atletët e botës të mblidhen së bashku në Paris, Francë, për të festuar Lojërat e Olimpiadës së 33-të”, tha Bach.
Bach tha se ai “sapo kishte marrë informacion të shkëlqyeshëm në lidhje me përgatitjet për Paris 2024” pasi vizitoi vendin e ndërtimit të Fshatit të Atletëve të martën.
Më pas ai tha se konkurrentët do të ishin “shumë të lumtur” në atë fshat.
As Guatemala nuk u ftua në Lojërat Olimpike sepse aktualisht është pezulluar për shkak të ndërhyrjes së supozuar të qeverisë në pavarësinë e Komitetit Olimpik Kombëtar.
Top Channel