Valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në korrik, do të ishin “virtualisht të pamundshme” pa ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu, ka gjetur një studim shkencor.
Ngrohja globale nga djegia e lëndëve fosile, e ka rritur për 50 herë mundësinë që disa pjesë të Kinës të përballen me temperature të larta.
Sipas studimit të Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ndryshimet klimatike nënkuptojnë se vala e të nxehtit në jug të Evropës ka qenë 2.5 gradë Celsius më e nxehtë.
Sipas ekspertëve, pothuajse të gjitha shoqëritë janë të papërgatitura për të nxehtin vdekjeprurës.
Autorët e studimit kanë thënë se gjetjet e tyre e shpërfaqin rëndësinë e adaptimit të botës me temperatura të larta, sepse ato nuk janë më “të rralla”.
“I nxehti është në mesin e katastrofave më vdekjeprurëse”, ka thënë Julie Arrighi, një prej autorëve të studimit.
Ajo ka thënë se shtetet duhet të ndërtojnë shtëpi rezistente ndaj nxehtësisë, të krijojnë “qendra të freskëta”, dhe të gjejnë mënyra si t’i ulin temperaturat në qytet, përfshirë mbjelljen e më shumë drunjve.
Në korrik, temperaturat kanë shënuar rekorde të reja në disa pjesë të Kinës, në jug të Shteteve të Bashkuara dhe Spanjë.
Miliona njerëz kanë jetuar me ditë të tëra nën paralajmërimin e kuq për të nxehtë ekstrem.
Ekspertët kanë thënë se i nxehti ekstrem mund të jetë kërcënim serioz për jetën e njeriut, sidomos për personat e moshuar.
Sipas një studimi tjetër, më shumë se 61.000 njerëz vlerësohet se kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me të nxehtin, gjatë valës së të nxehtit që e ka mbështjellë Evropën vitin e kaluar.
“Studimi e ka konfirmuar atë që e kemi ditur më parë. Tregon sa shumë rol luajnë ndryshimet klimatike në atë me të cilën jemi duke u përballur tani”, ka thënë Friederike Otto nga Kolegji Imperial i Londrës.
Shkencëtarët për klimën kanë thënë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.
Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale.
Nëse temperatura arrin 2 gradë Celsius – që për shkencëtarët është shumë e mundshme – valë të tilla të të nxehtit do të jenë prezente çdo dy deri në pesë vjet.
Në studim është analizuar edhe roli i fenomenit El Ninjo në rritje të temperaturave.
Ky fenomen ndikon në rritje të temperaturave globale, pasi ujërat e ngrohtë dalin mbi sipërfaqe të oqeaneve dhe i nxehti bartet më pas në ajër.
Në studim është thënë se El Ninjo mund të ketë luajtur rol të vogël në këto valë të të nxehtit, mirëpo djegia e lëndëve fosile ka qenë kyçe për situatën aktuale./REL
Top Channel