E ftuar në emisionin “Pushime On Top” ka qenë protagonistja e filmit “Në kuadër të dashurisë” Olta Gixhari.
Ajo është një aktore mjaft e njohur për ekranin shqiptar, por jo vetëm. Olta ishte gjithashtu pjesë e edicionit të dytë të “BBV” ku arriti të fitonte zemrat e ndjekësve me karakterin e saj mjaft të veçantë në lojë.
E teksa xhirimet e filmit kanë përfunduar, e pyetur se si ishte ky rikthim i saj në botën kinematofgrafike, ajo u shpreh:
Nuk ka as 24 orë që ka përfunduar. Në janar të këtij viti, kur unë kam qenë brenda shtëpisë së Big Brother, është shfaqur filmi “Bolero në vilën e pleqve” ku unë kam patur një rol shumë të mirë aty. Unë nuk e kam parë filmin pasi kam qenë brenda shtëpisë. Nuk kam mundur ta shoh as në kinema pasi kam qenë në Spanjë. Dua të them që, po, janë bërë gati katër vite larg sheshit të xhirimit, por jo kaq shumë vite larg publikut me profesionin tim. Tani jam rikthyer me filmin “Në kuadër të dashurisë”, i cili ka qenë një projekt shumë i bukur dhe me shumë dashuri brenda. Fiks “Në kuadër të dashurisë”. Edhe pse periudha kur e kam xhiruar unë nuk ka qenë fort e lehtë pasi ka qenë fill pas daljes nga eksperienca që të gjithë e dimë tani. Më kishte marrë malli për sheshxhirimin pasi aty jam në habitatin tim, jam në profesionin tim. Mendoj dhe uroj që të kem bërë një punë të mirë. Ajo çka mund të them me bindje është që kam qenë shumë, shumë e përkushtuar. Ndoshta më shumë seç duhej pasi kam patur frikën që vija direkt pas një eksperience të lodhshme shumë siç është Big Brother dhe mu desh t’i ndizja motorët pak më shumë dhe të përkushtohesha e të fokusohesha më shumë në film për të dhënë më të mirën time. Mendoj që regjisori është i kënaqur shumë me rolin që kam bërë.
Në lidhje me personazhin e saj në film, e quajtur Jonida, Olta është shprehur se sa e ngjashme ka qenë jeta e karakteri i saj me atë të filmit:
Jo, Jonida nuk është një personazh që është shumë pranë meje. Më është dashur të fokusohem goxha tek personazhi i Jonidës. Mbase kur ta shihni do të thoni çfarë ka bërë kjo ndonjë gjë kaq të jashtëzakonshme, por këtu qëndron edhe e bukura. Këtu qëndron edhe suksesi që në momentin kur publiku del nga kinemja dhe thotë cfarë ka bërë, aty mendoj që ia kam arritur. Sepse të arrish një personazh, një karakter dhe të të duket pa sforco, duket sikur e ke krejtësisht nën lëkurë, ai është suksesi më i madh i personazhit që ti ke arritur. Jonida nuk është një personazh që është shumë pranë meje. Është një vajzë e qetë, që punon, që di se çfarë kërkon dhe shumë e sigurtë në atë çfarë kërkon. Është një vajzë që është rritur mirë nga ana ekonomike dhe në një familje të shëndetshme. Deri këtu kam shumë gjëra të përbashkëta, por mënyra e sjelljes së saj është krejt ndryshe nga mënyra ime spontane, çapkëne, e hedhur dhe guximtare.
Në film, ajo luan pranë protagonistit tjetër kryesor Luiz Ejlli, ku të dy shfaqen në rolin e një çifti pranë divorcit. E pyetur se si ka qenë puthja midis tyre në sheshxhirim, Okta Gixhari është shprehur si më poshtë:
Unë, siç e thashë dhe më përpara, jam në habitatin tim, në profesionin tim. Unë jam aktore. Di shumë mirë të ndaj jetën e vërtetë nga filmi. Për mua sheshxhirimi është i shenjtë, partneri është i shenjtë dhe roli gjithashtu. Në momentin që qëllimi e justifikon, mua më duhet ta kryej patjetër atë veprim. Nuk e mbaj mend shumë mirë sepse këto puthje janë zakonisht teknike. Duhet të kesh kujdes ndriçimin, duhet të kesh kujdes mos të dalësh nga kuadri i kamerës. Ka shumë siklete puthja në film. Nuk është puthje ku ti ke kohë për ta shijuar. Unë e mbaroj dhe e harroj çfarë ka ndodhur sepse janë kaq teknike saqë një puthje për mua është njësoj si një ecje. Kemi qenë aktorë në një film, ku kemi bërë një veprim siç mund të kemi bërë një veprim tjetër.
Top Channel