Zgjedhjet në Spanjë/ Partia Popullore “rrëmben” fitoren, diferenca shumë e vogël

24/07/2023 09:13

Partia Popullore nën drejtimin e Alberto Núñez Feijo arriti të rrëmbejë fitoren në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të Spanjës, me një diferencë shumë të vogël përballë rivalit të tij më të madh nga Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë, Pedro Sanchez.

Alberto Nunez Feijo u prit me duartrokitje dhe brohorima pas përfundimit të numërimit, ndërsa deklaroi se pas fitores do të përpiqet ta formojë një qeveri të re.

“Nuk ka asnjë president të qeverisë spanjolle që ka qeverisur pas humbjes së zgjedhjeve. Pra, alternativa që do ta provoj unë, miqtë e mi, do ta provoj“, tha Alberto Nunez Feijo.

Pas humbjes Sanchez deklaroi se e djathta ekstreme “ka dështuar”, ndërsa nuk nguroi të falënderojë të gjithë mbështetësit.

“Faleminderit të gjithë Spanjës, një demokraci e madhe, sepse ne i kemi treguar botës një demokraci të pastër dhe të fortë”, deklaroi Pedro Sanchez.

Asnjë parti nuk ka fituar një shumicë absolute në zgjedhjet që u bënë, sipas rezultateve që dolën në përfundimin e numërimit të të gjitha kutive të votimit.

Kryeministri Pedro Sanchez thirri zgjedhje të parakohshme, pasi Partia Socialiste dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë Bashkë Mundemi, nën drejtimin e Unidas Podemos, u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj.

Pavarësisht nga sondazhet që parashikonin fitoren e Partisë Popullore të krahut të djathtë të Spanjës, zgjedhjet e së dielës rezultuan në një parlament të varur, duke i ofruar një litar shpëtimi kryeministrit Pedro Sanchez, i cili mund të ngjitej në pushtet përmes një bashkimi aleancash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA