SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të Pashuk Gjinit, që nga një i dënuar në mungesë për trafik heroine në Spanjë, u konvertua në Shqipëri në një biznesmen të suksesshëm në fushën e ndërtimit.
Hetimi pasuror që kërkon kalimin e 23 pasurive në llogari të shtetit, mori shkas nga arrestimi më tepër se një vit më parë i Pashuk Gjini me emrin e ndryshuar në Anton Gjinaj. Ai u konstatua nga malazezët duke u prezantuar me një identitet tjetër , që gjatë verifikimeve se e maskonte nga dënimi i 2010 dhënë nga gjykata provinciale Alicante, Spanjë.
Dosja e 57 vjeçarit tregon se ndaj tij rëndonin 8 vjet e 9 muaj burgim për trafik në kuadër të grupit të strukturuar të gati 50 kilogramëve heroinë, një aktivitet ku ishin përfshirë edhe shqiptarë të tjerë. Por gjykatat në Shqipëri e liruan biznesmenin i cili gjatë gjurmimit financiar të SPAK u zbulua që administronte 6 shoqëri të themeluara para dhe mbas kohës kur Spanja e futi në kartelën e të kërkuarve.
Veç këtyre kompanive me aktivitet dhe në fushë e ndërtimit , SPAK i kërkon gjykatës 10 troje të llojit tokë arë të ndodhura në Marikaj, Laprakë dhe Lundër. Po ashtu SPAK kërkoi konfiskim edhe të katër ndërtesave , njëra e natyrës apartament , të cilat ishin blerë jo vetëm nga familjarët por edhe në emër të shoqërisë “Alesio 2014”, e njohur në fushën e ndërtimit. Veç kësaj SPAK deklaron se i kërkon gjykatës konfiskim të katër automjeteve që rezultojnë të regjistruara në emër të njerëzve më të afërt të 57 vjeçarit.
Në dosje prokurorët e posaçëm i deklarojnë gjykatës që me herët ka aprovuar sekuestron preventive se këto pasuri nuk justifikohen dhe burimi i tyre është i dyshimtë.
Top Channel