Sulmi me dron në Moskë, Rusia akuza drejt Ukrainës! Ende asnjë reagim

24/07/2023 12:30

Rusia ka akuzuar Ukrainën se qëndron pas sulmeve me dronë që dëmtuan të paktën dy ndërtesa në Moskë, mëngjesin e kësaj të hëne.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se dy dronët e hedhur shkaktuan dëme materiale, por jo viktima. Njëri prej tyre ra pranë ndërtesës shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me këto akuza, mirëpo rrallë e marrin përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se sulmet me dronë i kanë goditur ndërtesat “jo të banueshme” rreth orës 4:00 të mëngjesit.

Incidenti vjen pasi Rusia ka shënjestruar qytetin ukrainas të Odesës, me sulme të reja raketore.

Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë.

Njëkohësisht sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se Ukraina vijon të marrë territoret, ku sipas bilancit tashmë ka rimarrë rreth 50 për qind të territorit të zënë nga Rusia, ndërsa pritet që kundërofensiva të zgjasë për disa muaj.

Komentet e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhën pak orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA