Komanda e Kombeve të Bashkuara në Gashiullin Korean njoftoi se ka filluar komunkimin me Phenianin për ushtarin amerikan që javën e kaluar kaloi kufirin me vrap në drejtim të Koresë së Veriut.

Largimi i ushtarit ndodhi në një kohë tensionesh të larta në Gadishullin Korean, ku ritmi i demonstrimit të armëve të Koresë së Veriut dhe stërvitjeve të kombinuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë Jugore janë intensifikuar. Seuli njoftoi se një nëndetëse e dytë amerikane ka mbërritur në Korenë e Jugut brenda pak ditësh.

Dy nëndetëse amerikane kanë arritur brenda pak ditësh në gadishullin korean. E para, që mban raketa balistike bërthamore arriti javën e kaluar, ndërsa sot arriti një tjetër nëndetëse që funksionon me energji bërthamore.

Nëndetësja “USS Annapolis” arriti të hënën në bazën detare në ishullin jugor të Koresë së Jugut, Jeju, tha marina e Seulit gjatë një konference për shtyp, pa dhënë detaje për misionin e saj.

“Marina e Koresë së Jugut dhe e SHBA-së planifikojnë të forcojnë mbrojtjen e përbashkët me mbërritjen e nëndetëses USS Annapolis dhe të kryejnë aktivitete për të përkujtuar 70-vjetorin e aleancës”, tha Jang Do, komandanti i Marinës së Koresë së Jugut.

Nëndetësja amerikane me armë bërthamore “USS Kentucky”, arriti në Korenë e Jugut të martën e kaluar.

Kjo është hera e parë që një nëndetëse bërthamore amerikane arrin në gadishullin korean që nga vitet 1980. Arritja e nëndetëses përkon edhe me nisjen e bisedimeve mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të koordinuar reagimet në rast të një lufte bërthamore me Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike të mërkurën, disa orë pas arritjes së nëndetëses amerikane ‘USS Kentucky’, ndërsa të shtunën lëshoi disa raketa nga anijet e saj.

Ndërkaq vazhdojnë shqetësimet për ushtarin amerikan Travis King i cili vrapoi drejt Koresë së Veriut javën e kaluar duke e kaluar kufirin mes dy Koreve.

Zëvendës komandanti i Komandës së OKB-së tha sot se ka nisur bisedimet me Penianin për ushtarin amerikan.

Gjenerali Andrew Harrison tha se procesi ka nisur nëpërmjet linjave të komunikimit të ngritura në Zonën e Përbashkët të Sigurisë midis Koreve sipas marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund luftës me Koreseve në vitet 1950-53.

“Nuk dua të spekuloj. Askush nga ne nuk e di se ku do të përfundojë kjo çështje. Unë jam optimist në jetë dhe mbetem optimist, por nuk dua të shtojë diçka më shumë”, tha Gjeneral Andrew Harrison, nën-komandant i Komandës së Kombeve të Bashkuara.

Koreja e Veriut nuk ka bërë asnjë koment për ushtarin amerikan Travis King, i cili të martën e kaluar, kaloi kufirin papritur duke shkuar në Korenë e Veriut, ndërkohë që duhej të kthehej në Shtetet e Bashkuara nga Seuli.

Vizitat turistike në Zonën e Përbashkët të Sigurisë mes dy Koreve janë pezulluar që nga kalimi i ushtarit amerikan përtej kufirit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA