Riaktivizohen vatrat e zjarrit në Rodos! Erërat e forta “bllokojnë” përpjekjet e zjarrfikëseve për të shuar frontet aktive

24/07/2023 22:55

Zjarri i Rodosit nuk mund të frenohet. Forcat zjarrfikëse të përhapura në të gjithë territorin e kanë pasur të pamundur shuarjen e flakëve, ndërsa 63 zjarre të reja shpërthyen brenda 24-orëve.

Zjarrfikësit u përpoqën të luftonin erërat e forta dhe të shuanin vatrat e rindezura në disa lokacione për të shtatën ditë radhazi, tha Brigada e Zjarrfikësve.

Të paktën dhjetë shtëpi u dëmtuan pasi zjarri u përhap në fshatin Asklipio, në veri të vendpushimit bregdetar të Kiotari në Rodosin Jugor, ku hotelet u evakuuan gjatë fundjavës. Po ashtu, rindezjet e vazhdueshme janë kthyer në problem për zjarrfikësit.

Laerma, një fshat në qendër të ishullit, ka pësuar dëme serioze nga rindezja e vatrës së zjarrit. Zjarrfikësit duhet të merren me zjarrin në fshat dhe frontet përreth tij.

Në ishull, erërat e forta me 7 beaufort janë shqetësuese për përhapjen e zjarrit në të gjitha frontet, theksoi Brigada e Zjarrfikësve. Zjarri në Rodos për një javë tashmë ka djegur rreth 34,200 hektarë dhe vazhdon të jetë i pakontrolluar.

Të hënën, gjërat morën një kthesë për keq pasi zjarri shkatërroi mbrojtjen dhe u urdhëruan më shumë evakuime në pjesët qendrore dhe jugore të ishullit.

Ne jemi në luftë – të fokusuar plotësisht te zjarret”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë një debati në Parlament. “Gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne duhet të qëndrojmë në gatishmëri të vazhdueshme.”

Krahas Rodosit zjarret po shpërthejnë edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evias, si dhe në Greqinë kontinentale, në Peloponez dhe Greqinë jugore. Me temperaturat që pritet të rriten sërish të martën pas një dite pushimi relativ, Shërbimi Zjarrfikës ka njoftuar se pjesa më e madhe e ishullit të Kretës, me përjashtim të njësisë rajonale të Hanisë, si dhe Rodos me ishujt e afërt, po përballen me një rrezik ekstrem (Kategoria 5, më e larta) e shpërthimeve të reja të zjarrit.

Rajonet e Atikës, Greqisë Qendrore, Greqisë Perëndimore, Peloponezit, Hanisë, dy nga katër njësitë rajonale të rajonit të Thesalisë (Larisa dhe Magnezia), Ishujt Jon, Ishujt Dodekanezë në Egjeun juglindor, si dhe ishujt Ikaria dhe Samos në Veri, janë të klasifikuara me rrezikshmëri të lartë nga zjarret njoftoi Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile.

Në Rodos, zjarri është krejtësisht i paparashikueshëm. Shkon kudo, është krejtësisht i pakontrollueshëm. Le të shohim se çfarë mund të shpëtojmë” –  tha Nikos Dimelis, president i vendbanimit Archangelos.

Zjarri në Rodos duket gjithnjë e më shumë si ai që shkatërroi ishullin Evia në gusht 2021.

Edhe në Evia një zjarr që filloi rreth mesditës së të dielës, megjithëse u konsiderua i “përmbajtur”, nga mëngjesi i së hënës u riaktivizua sērish duke arritur në det.

Ndonëse zjarri i Evias shpërtheu nëpër fshatra, vlerësohet se ka shkaktuar pak dëme në shtëpi, kasolle dhe stane kafshësh, thanë vendasit. Mirëpo, është raportuar edhe për zhdukjen e një bariu 38-vjeçar.

Policia fillimisht pretendoi se ai ishte zhdukur që para fillimit të zjarrit, por fshatarët thanë se e panë të dielën dhe ai ishte shumë i shqetësuar për delet e tij. I vëllai i bariut shkoi në stacionin e policisë lokale të hënën vonë për ta raportuar atë të zhdukur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA