“Rrogozhina vetëm përpara me Edison Memollajn dhe Partinë Socialiste” kështu kryesocialisti Edi Rama shkruan për fitoren në këtë bashki.
“Pas rizgjedhjeve të djeshme në Rrogozhinë, kandidati ynë e thellon fitoren e 14 majit, ku doli përpara me 21 vota, me një avantazh spektakolar prej 1752 votash. Urime Edison dhe një bravo të madhe për të gjithë skuadrën tonë, e cila nxori mësimin e duhur nga gara e mëparshme, duke u angazhuar dhe organizuar ende më mirë, për të dalë shumë më lart në zgjedhjen e djeshme pjesore”– tha Rama.
Erion Veliaj drejtues politik i PS për qarkun Tiranë, komentoi fitoren e Edison Memollës në Rrogozhinë fillimisht duke falënderuar, të majtë e të djathtë siç thotë ai , që dhanë PS, një mbështetje përtej pritshmërive më optimiste.
“Mirënjohje të majtëve, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit! Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve!”- tha Veliaj.
Fitorja e Rrogozhinës thotë Erion Veliaj është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve.
“I jep fund përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot!”- tha Veliaj.
Sali Berishës nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të justifikonte humbjen e Rrogozhinës.
“U mbyll në Rrogozhinë në mënyrën më kriminale, pasi mandati që ia dhanë qytetarët e Rrogozhinës, kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, ia rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore, institucionet e farsës elektorale. Shkelmuan në mënyrë të padenjë, antiligjore, votën e qytetarëve të Rrogozhinës dhe urdhëruan një proces të ri zgjedhor, në të cilin unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit 2023.”– u shpreh Berisha.
Top Channel