Arrestohet ish-drejtori i Policisë në Mal të Zi

24/07/2023 11:59

Prokuroria Speciale e Shtetit e ka konfirmuar se ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Vesellin Veloviç, është arrestuar të hënën, dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitë zyrtare dhe kontrabandë”.

Me akuza të njëjta përballen edhe tre persona tjerë.

“Departamenti i Policisë Speciale, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special, i ka privuar nga liria V.V dhe M.N, dhe ndaj tyre është ngritur padi penale, si dhe ndaj A.M dhe N.M., të cilët janë në kërkim”, është thënë në deklaratën e Prokurorisë.

Në të është thënë se zyrtarët policorë i kanë bastisur edhe banesat dhe objektet tjera në pronësi të të arrestuarve.

“Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit – EUROPOL”.

Mes tjerash, autoritetet e Malit të Zi, kanë paralajmëruar se aktivitetet e tyre në këtë drejtim, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Kush është Vesellin Velovi?

Veloviq ka qenë drejtori i Policisë së Malit të Zi në periudhën 2007-2011, dhe prej mesit të vitit 2018 deri në fund të vitit 2020.

Në periudhën mes dy mandatave, ai ka qenë këshilltar i ish-presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe në Qeverinë e ish-kryeministrit Millo Gjukanoviç, nga viti 2014 ai ka qenë sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Prej fundit të vitit 2020, pas ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi, ka qenë këshilltar i Gjukanoviçit për çështje të sigurisë, deri më 20 maj të këtij viti.

Gjukanoviq i ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill të këtij viti.

Veloviq ka pasur funksione të rëndësishme në Policinë e Malit të Zi, edhe para pavarësisë së shtetit.

Në periudhën 1995 – 2005, ai ka qenë komandant i Njësitit Special kundër-Terrorizmit.

Në fund të viteve 1990, gjatë trazirave politike në mes të Gjukanoviçit, atëbotë kryeministër i Malit të Zi, dhe ish-presidentit të shtetit, Momor Bullatoviç, i cili ka qenë besnik ndaj ish-liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, Veloviç e ka parandaluar në janar të vitit 1998, një tentim të mbështetësve të Bullatoviçit për ta pushtuar ndërtesën qeveritare.

Më vonë, Veloviç është lidhur me disa afera në ekonomi, në të cilat ka marrë pjesë policia.

Ai është arrestuar për sulm ndaj një zyrtari në protestat e shtatorit të vitit 2021 në Cetinje, teksa është kundërshtuar shugurimi i Mitropolitit Joaniki në Kishn Ortodokse Serbe në atë qytet.

Ai është liruar pas dy ditëve në mbajtje, dhe më pas, në maj, Gjykata Supreme në Podgoricë, e ka përmbysur vendimin e shkallës së parë për lirimin e Veloviçit./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA