Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shfaqur edhe një herë rezervat e tij për nismën rajonale, Ballkani i Hapur, gjatë një vizite në Shqipëri, të dielën.
Udhëheqësi maqedonas u takua me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj, në Pustec, ku jeton minoriteti maqedonas në Shqipëri.
Të dy presidentët folën më 23 korrik për marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, por interesi i gazetarëve bëri që deklarata e tyre për mediat të përqendrohet te Ballkani i Hapur.
Presidenti maqedonas tha se mungesa e tri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismën rajonale është mangësi e madhe për Ballkanin e Hapur, ku, pos Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, bën pjesë edhe Serbia.
“Është e pakontestueshme, për vendet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur, se ombrellë për të gjitha nismat është Procesi i Berlinit”, është shprehur Pendarovski.
“Procesi i Berlinit ka marrëdhënie strukturore shumë më të sakta se Ballkani i Hapur. Gjashtë shtete marrin pjesë në Procesin e Berlinit, ndërsa vetëm tri shtete në Ballkanin e Hapur, dhe kjo është një mangësi e madhe për Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Begaj, theksoi se vendimi për vazhdimin apo jo të nismës rajonale i përket politikës.
“Padyshim, çdo iniciativë rajonale është e mirë. Vendimmarrësit ekzekutivë politikë mendojnë për vazhdimin e një iniciative apo jo”, është shprehur Begaj.
“Fati” i kësaj nisme rajonale është ende i paqartë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi pak kohë më parë se misioni i Ballkanit të Hapur ka përfunduar, ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi joformal të udhëheqësve të rajonit në Tiranë theksoi se nisma vazhdon të ekzistojë, dhe vazhdon me projekte të përbashkëta.
Rreth një vit më parë, Pendarovski pati deklaruar se Ballkani i Hapur mund të jetë ide e mirë për bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por jo edhe alternativë për Bashkimin Evropian, që, sipas tij, duhet të jetë prioritet për rajonin.
Ai ka shprehur rezervat e tij që prej fillimit të kësaj nisme.
“Unë, që në vitin 2019, kam pasur rezerva lidhur me këtë nismë, dhe i kam thënë se cilat janë ato: të mos jetë si alternativë e Bashkimit Evropian e kështu me radhë…”, ka thënë Pendarovski.
“Unë nuk kam problem me këtë nismë dhe këtë ua kam thënë edhe iniciatorëve të saj, pasi e shoh se nuk ka komponentë politike, apo në thelb nuk është alternativë për integrimet evropiane”, pati deklaruar Pendarovski.
Nisma rajonale, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Top Channel