Nesër zgjedhjet në Rrogozhinë, policia merr masat për mbarëvajtjen e procesit

22/07/2023 12:01

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe qetësisë, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Rrogozhinë nesër, përsa i përket detyrave funksionale të Policisë, të cilat janë të parashikuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Kodin Zgjedhor.

Në Rrogozhinë janë 55 objekte zgjedhore të cilat do të merren në ruajtje nga punonjësit e Policisë të Stacionit të Policisë Rrogozhinë, me mbështetjen e punonjësve të Policisë të Komisariatit Kavajë dhe të DVP Durrës.

Sipas policisë është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të Policisë, që janë të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, në qytetin e Rrogozhinës.

Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përcaktuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore, zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Zgjedhjet në bashkinë e Rrogozhinës u vendos se do të ripërsëriten, pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, teksa të burgosur numëroheshin më shumë se 100.

Kandidatët janë po të njëjtët, Edison Memollaj nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha nga “Bashkë Fitojmë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA