Blinken, turne në Tonga, Australi dhe Zelandën e Re për forcimin e lidhjeve me Paqësorin

22/07/2023 21:53

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të shkojë në Tonga, Zelandën e Re dhe Australi javën e ardhshme.

Ai do të vizitojë kryeqytetin e Tongës, Nukuʻalofa, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Ambasadës amerikane atje, pjesë e një përpjekjeje për të rritur praninë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në rajon për t’iu kundërvënë ndikimit dhe trysnisë së Kinës atje.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken duket se po e përmbush qëllimin e kahershëm të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara për të “zhvendosur vëmendjen tek Azia”. Javën e kaluar ai u kthye nga një takim i ASEAN-it në Xhakarta të Indonezisë dhe të hënën fillon turneun në rajonin e Paqësorit me ndalesa në Tonga, Australi dhe Zelandën e Re.

Antoni Blinken do të bëhet Sekretari i parë i Shtetit që viziton Tongën dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së re amerikane në kryeqytetin e këtij vendi, Nuku’alofa.

Në Forumin e Sigurisë në Aspen të Kolorado ai u pyet nëse vizita ka për qëllim t’i kundërvihet pranisë në rritje të Kinës në Paqësor.

“Vizita ka gjithashtu shumë të bëjë me marrëdhëniet që ne po përpiqemi të ndërtojmë me këto vende, që në të kaluarën janë lënë pak pas dore”, tha Sekretari Blinken.

Kina ka një ambasadë të madhe në Tonga dhe ka investuar në infrastrukturën e këtij ishulli dhe në ishujt e tjerë të Paqësorit, tha për Zërin e Amerikës Shihoko Goto, eksperte e Azisë në Qendrën Wilson.

“Në krahasim me vendet e tjera si Japonia, Shtetet e Bashkuara në fakt janë vonuar në angazhimin e tyre në këtë rajon. Duke kuptuar rëndësinë e këtyre vendeve, Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në rajon dhe po përpiqen të konkurrojnë me Kinën për të fituar zemrat dhe mendjet e banorëve të Ishujve të Paqësorit”, thotë ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj rajonalë Australia dhe Zelanda e Re kanë qenë gjithashtu të shqetësuar se Kina ka ambicie për të ndërtuar një bazë detare në rajon që kur Ishujt Solomon nënshkruan një pakt sigurie me Kinën vitin e kaluar.

Shqetësimi kryesor i Kinës është Tajvani, pasi disa vende të Paqësorit ende e njohin pavarësinë e Taipeit dhe nuk kanë ambasada kineze në kryeqytetet e tyre, thotë Brian Harding, ekspert i Azisë Juglindore dhe Ishujve të Paqësorit në Institutin Amerikan të Paqes.

“Deri para pak kohësh, gjashtë vende të ishullit të Paqësorit ende e njihnin pavarësinë e Tajvanit. Kina ka qenë shumë e suksesshme në vitet e fundit, duke bindur Ishujt Solomon dhe Kiribatin të tërhiqnin vendimet e tyre për të njohur Tajvanin. Tani Pekini po përpiqet të bind vendet e tjera të rajonit të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë ai.

Sekretari Blinken do të udhëtojë nga Tonga në Zelandën e Re, ku do të ndjekë ndeshjen e Kupës së Botës mes ekipit amerikan të futbollit për femra dhe atij të Holandës. Ndalesa e tij e fundit në këtë turne do të jetë Australia./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA