12 pushues nga Kosova kanë shfaqur probleme shëndetësore ditën e djeshme për shkak të dezinfektimit të kryer në një hotel në Shëngjin.

Menjëherë pushuesit janë dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore.

“Ditën e djeshme janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Lezhës, rreth 12 persona që vinin nga një hotel të cilët si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, pro pa të vjella. Me parametra të mirë përveç një tensioni të ulët, kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë analizat dhe i është dhënë ndihma mjekësore. Pasi i është dhënë ndihma, të gjithë janë përmirësuar dhe në përgjithësi analizat kanë dalë mirë. Aktualisht nuk ka të shtruar në spital, pasi kanë marrë ndihmën janë larguar nga urgjenca.”-shpjegon mjeku.

Dyshimet e para për problemet e tyre shëndetësore mendohet se është një pesticid i përdorur për dezinsektimin e insekteve, si dhe mungesa e ajrit në disa pjese të hotelit për shkak të energjisë elektrike. Nga ana tjetër drejtori i AKU Lezhë në një interviste largon dyshimet e para se ky helmim mund të ketë ardhur nga ushqimet.

Ilda Gjekaj pronare e biznesit vjen me një ndjesë publike për pushuesit dhe tregon më tepër për situatën e krijuar dje në hotel.

“Ne një ditë më përpara kishim bërë një desinsektim të objektit për mushkonjat. Kishim edhe një mungesë të energjisë elektrike dhe si duket, për shkak edhe të temperaturave u krijua një ambient i rëndë i ajrit dhe na njoftuan për disa simptoma të klientëve tanë si: mungesë oksigjeni, marramendje, rënie e sistemit imunitar”– tha Gjekaj.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore pushuesit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe vijojnë pushimet e tyre në breg e Shëngjinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA