Një 70-vjeçare humbi jetën në Durrës, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike.
Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes në fshatin Shkallnur të Durrësit.
Dife Gërdani ndodhej në shtëpi kur dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po tentonte të piqte bukën në furrë. Bashkëshorti që ndodhej në banesë është përpjekur t’i vijë në ndihmë duke shkëputur menjëherë energjinë elektrike nga pajisja, po 70-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë.
Një grup hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendngjarje mbërritën edhe specialistët e OSHEE-së që konstatuan se nuk ka problem në linjën që furnizon me energji banesën. Paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë problem në instalimin e brendshëm të shtëpisë, ose këputja e rezistencës së sobës dhe kontakti me të që shkaktuan kontaktin fatal me rrymën.
Në prani dhe të lagështirës së trupit në këtë ditë të nxehtë vere, intensiteti i goditjes nga rryma elektrike ka qenë i fortë duke i shkaktuar humbjen e jetës 70-vjeçares.
Top Channel