Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e djeshme në Lezhë.
Gazetarja Brixhilda Deda bën me dije, se është gjetur makina dhe arma e përdorur në vrasjen e djeshme.
Makina e djegur është gjetur në një arë në fshatin Gjadër dhe dyshohet se ishte e vjedhur në shtator të vitit 2022 në Dimal të rrethit Berat.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2023, në Balldre të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi N.M.(L).
Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç,në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.
Nga kqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit N.M.(L). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime.
Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Lekstakaj u qëllua me armë nga persona ende të paidentifikuar teksa po futej në një market në Balldre të Lezhës, dhe disa persona janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Lezhës në lidhje me këtë ngjarje.
Mes të shoqëruarve ka persona nga fisi i Nikulajve, të cilët për shkak të hasmërisë mes dy fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj, mbeten të dyshuarit kryesorë. Ndërkohë nga ana e policisë janë marrë në shqyrtim kamerat e sigurisë së bizneseve, megjithatë deri tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me atentatorët.
Top Channel