Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut e kanë mirëpritur vendimin e SHBA-së për ta futur në listën e zezën biznesmenin maqedonas, Jordan Orce Kamçev.
Njëkohësisht ata shprehën keqardhje për dështimin e organeve vendore të drejtësisë për ta luftuar krimin e organizuar.
Të mërkurën, SHBA-ja e futi në listën e zezë biznesmenin Jordan Orce Kamçev, për të gjitha veprat korruptive që dyshohet t’i ketë bërë nga viti 2000 e këndej.
Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev “është përfshirë në aktivitete korrupsioni dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, tha të enjten se Kamçev “është sponsori kryesor i shkatërrimit të Prokurorisë Speciale”, e cila ishte themeluar në vitin 2016 për ndjekjen e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar, para se të shuhej tre vjet më vonë për shkak të përfshirjes së drejtuesve të saj në veprimtari korrupsioni.
“Me zotin Kamçev ndodhi ajo që edhe pritej të ndodhte, atë që organet e drejtësisë këtu nuk janë duke e bërë. Kamçev është një nga sponsorët kryesorë për shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike dhe emri i tij lidhet me shumë probleme tjera të cilat janë sot në vend. Më vjen mirë që ai ndodhet në listën e zezë amerikane, por shpreh shumë keqardhje që organet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut nuk e kanë parë atë dhe nuk e shohin si e sheh edhe qytetari i thjeshtë në vend”, tha Lloga.
Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca të ndërhyjë në gjyqësor, por shtoi se si anëtar i Këshillit Gjyqësor do t’i ngrejë çështjen para këtij organi.
Pavarësisht këtij qëndrimi, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, tha të enjten se institucionet duhet të veprojnë dhe të ndëshkojnë të gjithë personat e përfshirë në korrupsion.
“Publiku meriton institucione të besueshme që ndjekin vlerat demokratike, me transparencë dhe pa komprometime. Që Maqedonia e Veriut ta vazhdojë rrugën e prosperitetit të saj, që ia ka vendosur vetes si qëllim, korrupsioni nuk mund të mos hetohet. Aktorët e përfshirë në korrupsion duhet patjetër t’i vuajnë pasojat në përputhje me ligjin”, tha Aggeler, në një konferencë për mediat, ku sqaroi edhe një herë vendimin e SHBA-së për ta futur në listën e zezë biznesmenin maqedonas.
Jordan Orce Kamçev është familjar i ish-drejtorit të policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilët gjithashtu janë dënuar me dënime të larta me burgim për shpërdorim të detyrës, ndërsa po përballen edhe me procese të tjera gjyqësore.
Kamçev, në një rast të njohur si “Parcelat e Vodnos”, u shpall fajtor për përfshirje në një skemë për pastrim parash, në lidhje me blerjen e paligjshme të tokës për ndërtim.
Ai është dënuar me një vit burgim, por kohën e dënimit e kaloi në paraburgim nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, kur u lirua me një garanci bankarë prej 11 milionë eurosh se nuk do të ikë nga organet e drejtësisë sa i përket hetimeve tjerë përfshirë edhe rastin “Perendoria” për pastrim parash dhe shpërdorime tjera.
Kamçev është drejtor i kompanisë “Orka Holding”, e cila u themelua në vitin 1990 nga babai i tij.
Ai kishte lidhje me një kompani tjetër “Eksiko”, e cila sipas Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL ), ka ekzistuar “vetëm në letër”. Pronarët e kësaj kompanie të ndërlidhura me shumë kompani tjera jashtë vendit përdoreshin kryesisht për veprimtari të paligjshme.
“Ajo ka shërbyer për të hapur ose blerë kompani të tjera”, sipas hulumtimit të RRGH-së.
Përmes firmave jashtë vendit ai kishte ndikim në çdo sferë, si bujqësi, mjekësi, hoteleri, banka, tekstil dhe media. Pothuajse nuk kishte sektor që të mos kishte aksione pronësie, sipas IRL-së.
Disa nga këto kompani dyshohen për fitimin e tenderëve me vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.
Kamçev është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.
Ai e zgjeroi biznesin e tij në Bullgari edhe me një zinxhir spitalesh, ndërsa së bashku me biznesmenin rus Sergej Samsonenko, ata punojnë edhe në Rusi.
Ambasadorja amerikane Angela Aggeler theksoi se në listën e zezë mund të shtohen edhe persona tjera të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, që sipas saj, rrënojnë besimin e qytetarëve në institucionet demokratike të Maqedoninë së Veriut./REL
Top Channel