Temperaturat e larta dhe ekstreme që kanë përfshirë vendin tonë shpeshherë kanë sjell probleme edhe me shëndetin e qytetarëve.

Për t’i ardhur në ndihmë në kryeqytet janë ngritur pika të kujdesit në mënyrë që çdo qytetar që ndihet keq nga vapa të marrë ndihmë mjekësore.

Pikat e kujdesit ndodhen tek sheshi “Skënderbej” dhe diga e Liqenit dhe funksionojnë nga ora 9 e mëngjesit deri në mbrëmje. Janë studentët e mjekësisë ata që ndihmojnë në mënyrë vullnetare qytetarët.

“Kur afrohen qytetarët i bëjmë pyetje për medikamentet që përdoren, si ndjehen, ça sikleti kanë, i ofrojmë ujë për t’u freskuar. U masim tensionin, i pyesim për ilaçet dhe nëse ka raste ekstreme i çojmë te urgjencat mjekësore”.

Për të përballuar nxehtësinë, bashkia e Tiranës ka përgatitur një plan masash ku krahas pikave të kujdesit, në rrugët e qytetit janë vendosur stacione freskuese ndërsa të gjitha strukturat kanë kaluar në gatishmëri.

 “Tirana ka sipërfaqe rreth 1120 km2 ku pjesa më e madhe janë zona rurale ku ka kullota dhe ka rrezik për zjarre. Të gjitha strukturat e bashkisë Tiranë janë në gatishmëri të plotë. Të gjitha automjetet e policisë bashkiake janë pajisur me fikëse zjarri sepse nga ndonjë shkëndijë e vogël mund të krijohet ndonjë incident”, tha Andi Seferi, nënkryetar i bashkisë Tiranë.

Në këto ditë të nxehta ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë, mjekët këshillojnë qëndrimin në ambiente të freskëta, konsumimin  e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e daljeve në oraret e drekës ku temperaturat arrijnë pikun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA