Top Media i është bashkuar fushatës së dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë.
Shumë prej punonjësve të Top Medias janë shprehur të gatshëm të dhurojnë gjak dhe të shpëtojnë jetë.
Mes tyre, edhe gazetarja e Top Channel, Juli Ristani e cila dhuroi gjak live gjatë raportimit të edicionit të lajmeve të orës 12:00.
Organizimi është realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Kryqit të Kuq dhe ka për qëllim të promovojë fushatën e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë.
“Përfiton si dhuruesi dhe marrësi, ndihmojmë trupin tonë, edhe meshkujt që janë duhan pirës referohen se ndihen më të lehtë dhe të shëndetshëm”, tha mjekja nga aambientet e Top Channel, ku po realizohet dhurimi i gjakut.
Gjatë periudhës së verës, banka e gjakut has sfida të mëdha në sigurimin e mbështetjes së nevojshme për këta fëmijë, e cila është jetike për vazhdimësinë e jetës së tyre. Për këtë arsye, Top Channel ka marrë iniciativën për të dhënë kontributin e tij për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e të gjithëve se me një dhurim gjaku, shpëtojmë jetë.
Duke dhuruar gjak, kemi fuqinë për të shpëtuar jetë dhe për të siguruar shpresë për një të ardhme.
Top Channel