Një zjarr masiv shpërtheu në aeroportin e qytetit sicilian të Katanias, duke shkaktuar mbylljen e tij deri të mërkurën.
Fatmirësisht, nuk ka raporte për të lënduar, por flakët mjaftuan që udhëtarët të përfshiheshin nga paniku. Zjarrfikësit arritën t`i vinin ato nën kontroll gati 90 minuta pas shpërthimit, por nuk dhanë detaje mbi shkakun e mundshëm apo ndonjë lidhje me temperaturat e larta aktuale në rajon.
Katania është një nga qytetet italiane që lëshoi alarmin e kuq për temperaturat e larta të dielën, së bashku me kryeqytetin sicilian Palermo dhe qytetin e tretë më të madh në ishullin Mesina. Vendi po përgatitet për temperatura të larta rekord në ditët në vijim. Fluturimet në aeroportin sicilian, i cili sipas grupit të sektorit Assoaeroporti, ishte i pesti më i ngarkuari në Itali vitin e kaluar, u pezulluan për tre ditë.
Ky aeroport përdoret rregullisht nga turistët që shkojnë në vende si mali Etna dhe Taormina, i cili është rreth 70 kilometra larg, dhe Sirakuza, me teatrin e saj grek dhe qendrën historike në ishullin Ortigia. Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.
Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale. Për flakët në aeroport megjithatë mediat italiane thonë se është çelur një hetim dhe po verifikohet dhe mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.
Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut. Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius.
Top Channel