Kombet e Bashkuara kanë thënë se talibanët i kanë rritur kufizimet ndaj grave dhe vajzave në Afganistan në muajt e fundit, përfshirë fushën e edukimit dhe punësimit.
Në raportin e saj më të ri, OKB-ja ka thënë se Ministria e talibanëve për Shëndetin Publik, ka bërë të ditur se vetëm burrat mund të hyjnë në provime për t’u regjistruar në studimet për mjekësi.
OKB-ja ka thënë se ka regjistruar raste kur talibanët edhe kanë nisur t’i zbatojnë disa kufizime shtesë kundër lirisë së lëvizjes dhe punësimit të grave.
Në fillim të muajit maj, dy gra afgane – pjesëtare të një organizate ndërkombëtare joqeveritare – janë arrestuar nga forcat talibane në aeroport, sepse ato kanë udhëtuar pa u shoqëruar nga një burrë, apo nuk kanë qenë të mbuluara tërësisht.
Në qershor, një grua është kërcënuar me vdekje nga shërbimi i inteligjencës, nëse vazhdon të punojë me organizata ndërkombëtare.
Ajo është raportuar të ketë dhënë dorëheqje dy ditë më vonë.
Sipas OKB-së, ka raportime edhe për dhunë fizike ndaj grave.
Organizata e ka përmendur një incident kur talibanët e kanë rrahur një grua dhe e kanë detyruar të largohet nga një park publik.
Pavarësisht premtimeve për një udhëheqësi tjetër, në krahasim me atë të viteve 1990, talibanët kanë vendosur rregulla të ashpra, prej kur janë ngjitur në krye të Afganistanit në gusht të vitit 2021, në kohën kur forcat amerikane dhe ato të NATO-s kanë qenë duke u larguar.
Ata ua kanë ndaluar grave lëvizjen në pjesën më të madhe të hapësirave publike dhe i kanë shtypur mediat.
Vajzave u është ndaluar shkuarja në shkollë pas klasës së gjatë, dhe grave u është ndaluar puna për organizata lokale dhe joqeveritare./ REL
Top Channel