Kontrolle në hapësirën ujore të vendit! Bllokohen 8 Jet Sky që përdoreshin për argëtim në Shëngjin

17/07/2023 15:02

Vijojnë kontrollet me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve në zonat detare.

Në zbatim të masave të përcaktuara në Planin Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për ushtrimin e kontrolleve në të gjithë hapësirën ujore të vendit, Njësia Policore Detare në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në hapësirën detare nga Shëngjini në Tale, pas disa të denoncimeve të ardhura nga qytetarët për shkeljen e perimetrit të sigurisë nga mjetet lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga verifikimet e kryera në vijën bregdetare dhe hapësirën detare të Shëngjinit, 8 prej 13 mjeteve lundruese të kontrolluara rezultuan me mungesë dokumentacioni në bord. Për këtë arsye u bë bllokimi administrativ i tyre dhe pronarët u ndëshkuan secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj.

“Policia e Shtetit apelon sërish për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, të mos cenojnë perimetrin ujor të sigurisë për pushesit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi”- thuhet në njoftim, ndërsa u bëhet apel qytetarëve që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA