Erdogan nis turneun ne Gjirin Persik, optimist për marrëveshjen e grurit

17/07/2023 13:55

Presidenti i Turqisë Recep Tayyp Erdogan njoftoi se ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Rusisë do të angazhohen në diskutime në lidhje me marrëveshjen e grurit të Detit të Zi të hënën.

Ai shprehu optimizëm se kjo çështje mund të përparojë edhe pse Moska mori vendim për të pezulluar marrëveshjen.

Erdogan, i cili udhëton të hënën në Arabinë Saudite në një turne me tre ndalesa në shtetet e Gjirit Persik për të kërkuar mundësi tregtare dhe investimesh për ekonominë e Turqisë, tha se do të diskutojë marrëveshjen, përfshirë eksportin e plehrave ruse, me Putinin kur ata të takohen personalisht në gusht.

“Shpresoj se me këtë diskutim, ne mund të bëjmë një përparim dhe të vazhdojmë rrugën tonë pa pushim”, tha Erdogan, duke folur me gazetarët.

Sipas Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë të Turqisë, Erdogan do të mbërrijë në Xhedah i shoqëruar me rreth 200 biznesmenë.

Ai pritet të takohet me Mbretin Salman dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman. Gjatë udhëtimit tre-ditor të Erdoganit janë organizuar forume biznesi në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Shpresojmë të përmirësojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë në shumë fusha. Ne do të fokusohemi në investimet e përbashkëta dhe iniciativat tregtare që do të realizohen në periudhën e ardhshme”, u tha Erdogan gazetarëve në Stamboll përpara se të nisej.

Vizita vjen në kohën kur qytetarët e Turqisë janë goditur me rritje të taksave të produkteve dhe karburantit, të cilat ministri i Financave, Mehmet Simsek, ka thënë se janë të nevojshme për të rivendosur disiplinën fiskale dhe për të ulur inflacionin.

Muajin e kaluar, banka qendrore turke njoftoi një rritje të madhe të normave të interesit, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt politikave ekonomike më konvencionale pas kritikave se qasja e normës së ulët të Erdoganit e kishte përkeqësuar krizën e kostos së jetesës.

Ankaraja kohët e fundit ka rivendosur marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një përçarjeje të gjatë dhjetëvjeçare.

Çarja e raporteve ndodhi pas Pranverës Arabe të vitit 2011 dhe mbështetjes së Turqisë për Vëllazërinë Myslimane, e konsideruar si një kërcënim nga disa monarki të Gjirit.

Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Turqisë rreth 20 miliardë dollarë kohët e fundit, ndërsa Arabia Saudite depozitoi 5 miliardë dollarë në Bankën Qendrore të Turqisë në mars.

Disa ditë pasi Erdogan fitoi zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje tregtare me vlerë 40 miliardë dollarë për pesë vitet e ardhshme.

Erdogan do të takohet me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Doha të martën përpara se të takojë udhëheqësin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi të mërkurën. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA