Balla i jep prioritetet Policisë! Nga Rrajat, hashashi, etika dhe strehimi

17/07/2023 14:48

Konflikti në Borizanë nuk i ishte i vetmi që solli në vëmendje komisariatin e Krujës, por edhe konfliktet e shpeshta dhe masivizimi i kultivimit të drogës ç’ka solli dhe emërimin e një shefi dhe vartësve të rinj  në krye të këtij komisariatit.

“Reagimi jo i duhur i uniformave blu për konfliktin e gurores në borizanë por dhe analiza e punës 6 mujore e cila nxori në pah defekte solli ristrukturimin e policisë Krujë, ku drejtuesit u liruan nga detyra si dhe u zëvendësuan 26 punonjës policie”, tha Balla.

Shumë kritik për punën e policisë së Krujës u tregua dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tolerimin e drejtuesve të dikurshëm ndaj paligjshmërive e quajti të papranueshëm.

“Kërkesa ime e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë”.

Balla siguroi punonjësit e policisë se nuk do të bëjë ndryshime në strukturën e policisë por kërkoi nga ata respektim të kodit etik për të mos u shoqëruar më persona të papërshtatshëm si dhe seriozitet përsa i përket luftës kundër kanabisit.

“Mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur”.

Më shumë rezultate, Balla kërkoi dhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore për të luftuar korrupsionin mes radhëve të policisë.

“Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak”.

Përveç detyrave, Balla u ofroi policëve dhe mbështetjen e tij për rritjen e standardit të jetesës përmirësimin e kushteve të shërbimit që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja. Këtë vit do të aplikohet për 100 banesa për familjet e reja te policeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA