Aleksandër Vuçiç kërkon më shumë prova nga Shtetet e Bashkuara përpara se të vendosë shkarkimin e kreut të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandër Vulin.
Sanksionet amerikane ndaj Vulinit, presidenti serbi përshkroi si përgjegjësi të tij për shkak se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Nëse na japin ndonjë informacion për drogën, do ta ndjekim penalisht Vulinin. Por, këtu nuk ka asgjë, problem është situata me Moskën. Dhe sikur të kisha thënë disa ditë më parë se ne po vendosim sanksione kundër Rusisë, sanksionet ndaj Vulinit nuk do të kishin ndodhur”, u shpreh ai.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Vulinit në 11 korrik nënd yshimin e përshirjes në afera korruptive, trafik droge si dhe për lidhje me Rusinë. Duke folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiç u shpreh se Serbia deri më tani “ka rezistuar” që ta marrë këtë vendim.
“Nuk e di nëse do të mund të vazhdojmë të qëndrojmë pa vendosur sanksione ndaj Rusisë”, shtoi ai. Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës. Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas SHBA-së, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vulinin po ashtu akuzohet se ka “avancuar” korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse serbe.
Top Channel