Kreu i inteligjencës së jashtme ruse, Sergei Naryshkin, deklaroi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, muajin e kaluar, raporton agjenica ruse e lajmeve TASS.
Kjo telefonatë u bë pasi udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, dhe luftëtarët e tij, organizuan një rebelim të shkurtër kundër Moskës.
Qëllimi i thirrjes u tha se ishte që Burns të siguronte Moskën se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në asnjë formë të përfshirë në kryengritje, raporotojnë mediat amerikane.
Naryshkin konfirmoi se Burns “ngriti temën për ngjarjet e 24 qershorit”, duke iu referuar ditës kur mercenarët morën kontrollin e qytetit rus Rostov-mbi-Don dhe përparuan afërsisht 780 kilometra drejt Moskës, përpara se të ndalonin befas marshimin e tyre dhe të arrinin një zgjidhje me Kremlinin.
Naryshkin përmendi se telefonata zgjati rreth një orë dhe tha: “Ne diskutuam veprimet që do të ndërmerren në lidhje me Ukrainën”.
Naryshkin i tha TASS-it se negociatat për luftën do të zhvillohen në një moment.
Agjencia e lajmeve nuk specifikoi nëse kjo ishte pjesë e bisedës së tij me Burnsin.
“Është e natyrshme që negociatat do të jenë të mundshme herët a vonë, sepse çdo konflikt, përfshirë konfliktin e armatosur, përfundon me negociata, por kushtet për këto ende duhet të piqen”, citohet të ketë thënë Naryshkin.
Nuk ka pasur asnjë koment nga CIA mbi deklaratat e Naryshkinit.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në mënyrë të përsëritur parimin se “asgjë [nuk do të flitet] për Ukrainën, pa Ukrainën”, që do të thotë se vendet e tjera nuk duhet të negociojnë të ardhmen e vendit në emër të saj.
I pyetur për raportin, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak, i tha Reuters-it se nuk mund të ketë negociata me njerëz si Naryshkin.
“Sot, dikush si Naryshkin nuk ka asnjë ndikim se si do të përfundojë kjo luftë”, tha Podolyak. “Kjo elitë ruse i percepton ngjarjet plotësisht në mënyrë joadekuate, kështu që nuk ka asgjë për të folur me ta”.
Ukraina, e cila nisi një kundërofensivë muajin e kaluar, ka deklaruar se nuk do të angazhohet në negociata për momentin.
Arsyeja e këtij vendimi është se hyrja në bisedime potencialisht mund të çojë në një ngërç në fushëbetejë, me Rusinë që ende pushton një pjesë të konsiderueshme të territorit ukrainas.
Kievi është i shqetësuar se nëse vendoset një armëpushim për qëllime të bisedimeve, Rusia do ta shfrytëzonte atë si një mundësi për të rigrupuar dhe forcuar pozicionet e saj. /REL
Top Channel