Vrasja e të riut nga huliganët e PAOK-ut, Gjykata e Selanikut dënon 7 nga 12 të akuzuarit! Burg përjetë për 3 nga 4 shqiptarët

12/07/2023 20:51

Gjykata e Selanikut ka dhënë vendimin përfundimtar për vrasjen e 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos dhe plagosjen e dy shokëve të tij nga një grup huliganësh të PAOK-ut shkurtin e vitit 2022, në qytetin e Selanikut.

5 muaj pas fillimit të gjyqit të 12 personave, 4 prej të cilëve me origjinë shqiptare, që akuzohen për këtë vrasje të bujshme që ka tronditur gjithë vendin, gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm dhe burg shtesë 7 prej tyre. Mes personave të dënuar me burg përjetë janë edhe 3 shqiptarë.

Kështu Afskendos Çarçiu, 24-vjeç, i vetmi nga shqiptarët i cili i ka shpëtuar burgut përjetë duke u dënuar me 27 vite heqje lirie, në vendimin përfundimtar të Gjykatës u vendos se do të kryejë 20 vite burg.

Me burgim të përjetshëm u dënuan të rinjtë Aleksandro Gega, Gerald Kambo, 24-vjeç, dhe Roxhers Demirazi, 21-vjeç. Krahas burgimit të përjetshëm, për shkak të veprave të shumëfishta penale, Gjykata dha edhe 20 vite burg shtesë ndaj Aleksandro Gegës dhe Gerald Kambo, si dhe 18-vite burg shtesë ndaj Roxhers Demirazit.

Vlen të theksohet se, Gjykata e Selanikut ka vendosur dënime me shumë vite burg (deri në 20 vjet) edhe për pesë të akuzuarit e tjerë për vrasjen e të riut grek. Me të dëgjuar dënimet, miqtë dhe të afërmit e Alkis Kampanos shpërthyen në duartrokitje.

Në të njëjtën kohë, të pandehurve iu ndalua për 5 vite ndjekja e të gjitha ndeshjeve të PAOK-ut në të gjitha sportet. Apelimet gjithashtu nuk do të kenë fuqi pezulluese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA