Këshilli i Mandateve nisi mbledhjen me dyer të mbyllura për të marrë vendimin për mandatin e deputetit Arben Ahmetaj.

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Largimin e tij e ka konfirmuar avokati Enrik Ligori në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që u mbajt një ditë më parë.

Kreu i SPAK Altin Dumani dhe më pas prokurorja Enkeleda Millonai, i parashtruan dje Këshillit të gjitha faktet përmes të cilave mendojnë se Ahmetaj duhet të arrestohet. Dumani tha se të gjitha faktet janë të atilla që e justifikojnë arrestimin e ish-ministrit të Financave.

Mbledhja u shoqërua me debate të forta, teksa opozita kërkoi që kjo mbledhje të bëhej me dyer të hapura. Për herë të parë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit që kjo seancë të ishte me dyer të mbyllura, pasi në dosjen e konsideruar sekret përfshihen dhe emra të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit dy ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.

Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.

Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.

Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete.

Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët. Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA