Deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se shfrytëzuan numrin e kuorumit për ta miratuar atë me shpejtësi.
Ligji për kultivimin e kanabisit mjekësor solli përplasje në komisionin e ekonomisë.
Në komisionin e ekonomisë u miratua edhe projektligji për konfiskimin e objekteve pa leje për interesa shtetërore apo strehim social. Fillimisht një VKM e miratuar nga qeveria, të cilën gjykata kushtetuese e nxori në përputhje me kushtetutën tashmë është shndërruar në projektligj.
Anëtarë të ministrisë së Financave thanë se kanë arritur të mbledhin një fond prej 15 milionë eurosh deri më tani nga objektet e konfiskuara pa leje që investitorëve u është dhënë e drejta e parablerjes. Fondet shkojnë për shpronësime.
Jorida Tabaku i kërkoi relatorit të komisionit, Eduart Shalsit që të mos votohet ditën e sotme, pasi kërkojnë më shumë informacion nga qeveria për zhvillimin ekonomik që do ketë sektori në të ardhmen, ndërsa renditi anët negative të këtij ligji.
“Ndikimi ekonomik është arsyeja se pse qeveria po e kalon këtë ligj. Pikërisht kjo na intereson dhe ne që të diskutojmë. Kemi bërë pyetje dhe nuk kemi marrë përgjigje nga qeveria. Kjo është e para politike për ekonomi të re, krijimi i një sektori të ri, dhe askush nuk dha llogari se si do zhvillohet ky sektor. Është një ndryshim shumë i madh i politikës ekonomike të qeverisë. Vitet e fundit qeveria nuk ka pasur asnjë politikë ekonomike veç kësaj.
Çfarë sektori keni hapur këto 10 vite? Çfarë ligji ke sjellë këto vite këtu për të zhvilluar ekonomi të re? Kjo është hera e parë që ky komision diskuton një ekonomi të re dhe informacioni që ne kemi është i mangët. Informacioni i qeverisë për këtë ligj është bosh! Nuk asnjë informacion për zhvillimin ekonomik që do të ketë sektori në të ardhmen! Qeveria për herë të parë në këto 10 vite sot ka sjellë një ligj që thotë se do të hapim një sektor të ri dhe ne nuk kemi asnjë informacion! Askush nuk dha llogari se si do të bëhet ky sektor“, – tha Tabaku duke ngritur shqetësimin për kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij ligji.
Top Channel