Mbetje mortore të tre trupave, të cilat dyshohet të jenë viktima të luftës, që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur, u gjetën sot në në fshatin Vidimriç të Mitrovicës.
Kështu bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili theksoi se të dhënat do të saktësohen pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore.
Ai bëri të ditur se edhe gjatë kësaj jave kanë vazhduar me gërmimet sipas planifikimeve dhe në bashkërendim të aktiviteteve mes KQPZH-së, IML-së dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Gërmimet vlerësuese të filluara sot në lokacionin në fshatin Vidimriq, Mitrovicë, kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e 3 individëve /personave , viktima të luftës, që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Lokacioni në Vidimriq është një nga rastet/ lokacionet e trajtuara pas një pune intensive në kuptim të shqyrtimit të hollësishëm te të gjitha të dhënave, pra analizimit të tyre nga ana e institucioneve kompetente të lartcekura në bashkëpunim me ekspertët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe EULEX-it”, shkroi Gara në Facebook.
Top Channel