G7 do të shpallë paketën afatgjatë të sigurisë në Ukrainë në samitin e NATO-s

12/07/2023 08:58

Anëtarët e G7 pritet të ratifikojnë një marrëveshje afatgjatë të sigurisë me Ukrainën në samitin e NATO-s këtë të mërkurë.

Paketa të përfshijë pajisjet e mbrojtjes, trajnimin dhe shkëmbimin e inteligjencës.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se marrëveshja do t’i dërgonte një “sinjal të fortë” presidentit rus Putin. Kjo vjen pasi presidenti i Ukrainës Zelensky kritikoi hezitimin e NATO-s për t’i ofruar Kievit një afat kohor për t’u bashkuar me aleancën.

Sunak tha se aleatët e Kievit po forcojnë marrëveshjet për të mbrojtur Ukrainën për një afat të gjatë.

“Ne nuk mund të shohim kurrë një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë rikonfirmon angazhimin tonë për të siguruar që ajo të mos lihet kurrë e cenueshme ndaj llojit të brutalitetit që Rusia ka shkaktuar përsëri ndaj saj,” tha ai.

Presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi më herët një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar të ofrojë 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit gjatë një dekade.

Por ndryshe nga anëtarësimi në NATO, kjo nuk përfshin një klauzolë për t’i ardhur në ndihmë kombit të synuar gjatë një kohe sulmi.

Njoftimi i G7 vjen pasi NATO tha se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës ushtarake “kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”, një vonesë që Zelensky e ka quajtur “absurde”.

Kievi e ka të qartë se nuk mund të bashkohet me NATO-n ndërsa është në luftë me Rusinë, por dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të luftimeve. Disa shtete anëtare kanë frikë se anëtarësimi i Ukrainës mund t’i japë Rusisë një nxitje për të përshkallëzuar dhe zgjatur luftën.

Samiti dyditor i NATO-s po zhvillohet në Vilnius të Lituanisë. Samiti i Vilniusit filloi një ditë pasi Turqia hoqi dorë nga kundërshtimi i saj ndaj bashkimit të Suedisë në aleancën ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA