Këshilli i Mandateve vendosi që mbledhja për mandatin e Arben Ahmetajt të vijojë nesër në orën 16:00.
Kreu i SPAK Altin Dumani dhe më pas prokurorja Enkeleda Millonai, i parashtruan Këshillit të gjitha faktet përmes të cilave mendojnë se Ahmetaj duhet të arrestohet.
Gazment Bardhi, kreu grupit parlamentar të Partisë Demokratike ishte i vetmi që komentoi mbledhjen e Këshillit, duke riprodhuar përgjigjen e marrë nga avokatët e Arben Ahmetajt kur i kishte pyetur se ku ndodhej klienti i tyre.
I pyetur nga një deputet socialist, Dumani tha se të gjitha faktet janë të atilla që e justifikojnë arrestimin e ish-ministrit të Financave.
Mbledhja e mbajtur me dyer të mbyllura është shoqëruar me debate të forta, teksa opozita kërkoi që kjo të bëhej me dyer të hapura.
Për herë të parë, SPAK i kërkoi Kuvendit që seanca të ishte me dyer të mbyllura, pasi në dosjen e konsideruar sekret përfshihen dhe emra të tjerë.
Avokatët mbrojtës Saimir Visha dhe Enrik Ligori kërkuan shtyrjen e mbledhjes, pasi kërkojnë më shumë kohë për çështjen. Mësohet se avokatët kanë deklaruar dhe Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, por nuk dihet vendndodhja e tij.
Avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha do t’i paraqesin këshillit kundërshtitë e tyre për këtë kërkesë të SPAK pasditen e së mërkurës.
Skenari i parë, ku Arben Ahmetaj mund të hiqte dorë vullnetarisht nga mandati u rrëzua, pasi ish-zëvendës/kryeministri nuk u paraqit në Kuvend.
Tashmë i mbetet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të marrë vendimin për mandatin e deputetit të Ahmetajt.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit një ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.
SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.
Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.
Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.
Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete.
Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët. Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.
Top Channel