Tre punonjës të policisë janë pezulluar me masën “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në Korçë.

Sipas policisë me vendim gjykate janë pezulluar 2 inspektorë dhe një oficer, të tre pjesë e sektorit të qarkullimit rrugor.

3 punonjësit dyshohet se kanë manipuluar provat për një aksident me dëme materiale, si dhe kanë falsifikuar një test alkoli, duke mos e aplikuar tek shkaktari i aksidentit por tek një tjetër person.

Hetimi i cili ka zgjatur rreth 2 muaj, i është bërë me përgjime telefonash dhe përgjime ambientale.  Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar Urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurimit të karakterit ndalues për punonjësit e policisë të mëposhtëm:

– Nënkomisar K. SH., 32 vjeç, me detyrë Specialist i Trafikut Urban dhe Interurban në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor K. ZH., 27 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor O. L., 25 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e punonjësve të tjerë të dyshuar si të implikuar, ndërsa materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA