Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova ka ngritur sërish teorinë e përfolur të Polonisë pa dhënë prova konkrete, ndërsa shtonte se NATO nuk po i ofron anëtarësinë Kievit pasi “e konsideron Ukrianën perëndimore si territorin e saj dhe ka ndërmend ta pushtojë”.
Në një intervistë me rrjetin e Katarit, Al Jazeera, Zakharova tha: “Tani ka një dëshirë të dukshme të Polonisë për të pushtuar pjesën perëndimore të Ukrainës, prandaj Ukraina nuk është ftuar të jetë pjesë e NATO-s.”
Që kur trupat e Moskës kanë sulmuar Ukrainën në 24 shkurt 2022, disa zyrtarë rusë kanë propozuar se Polonia kërkon të pushtojë pjesë nga Ukraina, por pa dhënë prova konkrete për teorinë. Polonia ka qenë mbështetëse e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë dhe nuk e ka kundërshtuar integritetin e saj territorial.
Zakharova bëri komentet e saj në kohën kur liderët e NATO-s janë mbledhur për një samit dy-ditor në Lituani, ku bisedat kryesore janë ato për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës.
Kreu i NATOs, Jens Stoltenberg ka premtuar se aleanca “do të dërgojë një mesazh “të qartë, të bashkuar dhe pozitiv” për anëtarësinë e mundshme të Ukrainës, por këto fjalë nuk duket se kënaqën presidentin Zelensky, që u shprehi habitur që ende nuk ka një afat të qartë kohor për çështjen.
Zakharova shtonte:
“Ata thonë se NATO nuk është në luftë me Rusinë – megjithëse të gjithë luftëtarët, mercenarët, instruktorët ushtarakë dhe inteligjenca jepet nga NATO për regjimin e Kievit”.
“NATO është sigurisht në konfrontim me Rusinë. Ata kanë nisur këtë luftë hibride kundër Rusisë, që do të thotë me anë të konfrontimit ushtarak, sanksioneve dhe presionit politik.”
“Ndërsa në lidhje me Ukrainën, nuk ka një luftë Rusi-Ukrainë. Kjo nuk ekziston pasi Ukraina po përdoret nga NATO – pikësëpari nga SHBA e Britania – si një instrument për të influencuar mbi Rusinë.”
Në komentet me fjalor të ngjashëm me atë të Vladimir Putin, Zakharova shtonte se vendet perëndimore “besojnë se kanë të drejtën morale për të siguruar dominimin politik të botës”.
“Por botëkuptimi i çëshjeve të sigurisë për Rusinë bazohet në ligjin ndërkombëtar, ku përfshihet dhe konventa e OKB dhe të gjitha dokumentet e Këshillit të Sigurimit”.
Në lidhje me akuzat se Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar në konflikt, Zakharova hidhte fajin nga Ukraina, ku mijëra njerëz kanë vdekur tashmë në konfiktin 500 ditor:
“Është e vërtetë që ligji ndërkombëtar është shkelur në Ukrainë, por çështja është koha kur është shkelur. Kjo ka ndodhur në 2014 me grushtin e shtetit anti-kushtetues që ndryshoi pushtetin në Kiev”.
Asokohe ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, u largua nga vendi gjatë protestave kur refuzoi një akord për afrimin me Bashkimin Evropian, për të ruajtur lidhjet me Moskën. Por pas disa trazirave me qindra të vrarë në disa qytete, pala pro-perëndimore erdhi në pushtet në Ukrainë dhe disa ditë më vonë Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin e Krimesë.
Zakharova shtonte më tej për atë që njihet si Revolucioni i Maidanit në 2014: “Nuk ngrit populli i Ukrainës kundër autoriteteve por ishte SHBA, Britania, Franca, Gjermania e Polonia që larguan qeverinë e Ukrainës për të sjellë në pushtet mbështetësit e tyre”. /AlJazeera/
Top Channel