Shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë vitin e ri shkollor do të presë 750 nxënës në mjediset e reja të cilat janë drejt përfundimit.
Me rindërtimin pas tërmetit edhe të kësaj shkolle, pjesë e paketës së dytë të shkollave të reja që po ringrihen në Tiranë, gjimnazi ofron kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vuri theksin te nevoja që ka kryeqyteti për të rinj, që zgjedhin t’i përshtaten profesioneve të së ardhmes, ku ndër më kryesoret me rritjen e fluksit të turistëve, janë turizmi dhe guidat turistike.
“Sot jemi në një situatë ku turizmi në Tiranë do të thyejë rekordet e vitit të kaluar. Nëse vjet patëm 4-5 milionë turistë, po i afrohemi 6 milionëshit dhe ndoshta do e tejkalojmë deri në fund të verës dhe me pushimet e dimrit. shikon disa nga guidat turistike ku janë vetë të huaj, britanikë, suedezë që bëjnë orientimin në Tiranë, – do të thotë se nevoja në treg për të pasur këtë lloj talenti të çunave dhe gocave që janë të aftë të flasin disa gjuhë, që njohin qytetin, historinë, është e jashtëzakonshme”.
Veliaj ftoi prindërit të orientojnë fëmijët drejt trendeve të reja të vendeve të punës, ku turizmi është ndër më të kërkuarit.
“Duke qenë se shkolla do ketë kapacitet më të madh, do të kalojmë në 750 vetë, ftesa për të gjithë prindërit, edhe nëse vijnë nga rrethet, tani që po rregullojmë edhe konviktet e reja, është që të synojmë shkolla si ‘Asim Vokshi’, si një mënyrë për të jetuar një jetë dinjitoze me një rrogë të mirë, me punë që sot Tirana i ka më bollëk”.
Veliaj tha se këtë vit do të mbyllet paketa e re e shkollave, ndërsa një tjetër do të bëhet gati për vitin tjetër arsimor.
Top Channel