Një 31-vjeçare nga Selaniku e cila po përgatiste letrat për dasmën e saj, mësoi se ishte e martuar dhe madje me një burrë që nuk e njeh.
Sipas raportimit të medias greke grtimes.gr, 31-vjeçarja nuk arriti të martohej dot me partnerin e saj që kishin një lidhje prej shumë vitesh. Sipas dokumenteve thuhet se ajo bashkëjeton me një shtetas shqiptar, të cilin 31-vjeçarja shprehet se nuk e ka parë ndonjëherë në jetën e saj dhe se jeton në një shtëpi me qira qindra kilometra larg vendbanimit të saj.
Sipas avokatit të saj, 31-vjeçarja ishte viktimë e një mashtrimi, ku mashtruesit kanë përdorur identitetin e saj të vjedhur.
Pasditen e datës 16 shkurt 2023, banesa e çiftit është grabitur nga disa hajdutë, ku autorët kanë vjedhur një celular, dy laptopë, një orë dixhitale, sende të tjera elektronike, stoli floriri, dy kuleta, ku njëra prej tyre kishte kartën e identifikimit të 31-vjeçares.
Një muaj më parë, gruaja aplikoi online për një licencë për martesë civile me qëllim që të martohej me të fejuarin e saj. Dasma ishte caktuar të mbahej në rajonin e Halkidikit, më 26 gusht.
Në datën 22 qershor, me e-mail, gruaja ka marrë një mesazh nga gov.gr ku shkruhej se nuk miratohej kërkesa e saj sepse rezulton se ka lidhur bashkëjetesë në marrëveshje me një 30-vjeçar.
Autori ose autorët duket se kanë falsifikuar një dokument noterial për marrëveshjen e bashkëjetesës. “Ditën e hartimit të këtij akti, libri im i regjistrimit të aktit do të kishte një numër që fillon me 9061, ndaj nuk mund të jetë hartuar nga unë”, shprehet noteri në vërtetimin me shkrim.
Çifti më 3 mars 2023 mori një e-mail nga AADE (shërbimi elektronik), ku thuhet gruaja se ka marrë një banesë me qira ku ajo duket se qëndron me bashkëshortin e saj të dyshuar shqiptar. Kjo shtëpi ndodhet në Nea Musiotitsis, Janinë.
Top Channel