Trupi gjykues në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të pranuar dëshminë e dëshmitarit me kodin 4746 në formë të shkruar.

Gjykatësit janë pajtuar me ekipet mbrojtëse se ndryshimi i prezantimit të provave të këtij dëshmitari do të cenonte të akuzuarit.

Vendimi është bërë i ditur nga kryegjykatësi Charles Smith pasi janë dëgjuar parashtrimet e palëve.

“Prokuroria nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme që përbejnë arsye të vlefshme për tu pajtuar me afatin e 7 shkurtit për të cilin kishte vendosur trupi gjykues në bazë të rregullës 154 sa i takon 12 dëshmitarëve të parë, dhe kjo është në transkriptin e 18 janarit. Trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen se ndryshimi në mënyrën e prezantimit të provave të dëshmisë së 04746 do të cenonte në fakt të pandehurin. Së treti, në kudër të rëndësisë së dëshmisë së propozuar, trupi gjykues vlerëson se arsyet duhet të ishin paraqitur paraprakisht me shkrim, nuk janë paraqitur. Prandaj trupi gjykues rrëzon kërkesën e prokurorisë për të pranuar dëshminë e dëshmitarit 04746 në bazë të rregullës 154”, ka bërë të ditur kryegjykatësi Smith.

Në arsyetimin e këtij vendimi, Smith ka thënë se ndër të tjera i janë referuar refuzimit të këtij dëshmitari për t’u përgjigjur në pyetjet shtesë gjatë seancës përgatitore të prokurorisë.

Prokuroria kishte kërkuar që dëshmia e këtij dëshmitari të pranohej në bazë të rregullës 154 por kjo ishte kundërshtuar nga ekipet mbrojtëse.

Kërkesa e ZPS-së kishte ardhur pas një seance përgatitore që kishte zhvilluar me dëshmitarin në të cilën ai kishte refuzuar të përgjigjej në pyetjet e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, nuk është e nevojshme që ky dëshmitar të shfaqet fizikisht në sallën e gjyqit duke shtruar se në këtë mënyrë do të kursenin edhe kohën.

Por, sipas ekipeve mbrojtëse, për dëshmitarë të rëndësishëm duhet shpenzuar kohë aq sa është e nevojshme.

Gjatë kundërshtimit të bërë në pjesën e parë të seancës, ekipet mbrojtëse kanë theksuar vonesën e prokurorisë në adresimin e kësaj kërkese.

Sipas avokatëve, kjo gjithashtu do të cenonte përgatitjen e mbrojtjes. Pas këtij vendimi, seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të dymbëdhjetë të ZPS-së.

Gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës, ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA